English

Tavo: Rama të votojë heqjen e imunitetit

Tiranë, 22 shkurt, NOA – Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo ka deklaruar sot se LSI-ja mbështet heqjen e imunitetit, jo vetëm për deputetët, por edhe për zyrtarët e lartë që akuzohen nga Prokuroria.

Ai ka kërkuar që edhe kreu i PS-së, Edi Rama të lejojë miratimin e heqjes së imunitetit.

“Çështja e imuniteteve është një çështje e ndjeshme brenda vendit tonë, gjithashtu është një rekomandim i vazhdueshëm që i është bërë Kuvendit të Shqipërisë nga partnerët e tij. Është një çështje për të cilën LSI ka qenë promotore për ti dhënë fund një herë e mirë çështjes së kufizimit të mandatit, jo vetëm të deputetëve, por edhe të zyrtarëve të tjerë të cilët akuzohen për korrupsion, dhe nuk e kuptojmë aspak sesi z. Rama është futur dhe po mbrohet mbas bunkerit të tij lidhur me çështjen e imuniteteve”, tha Tavo.

Deputeti i LSI-së ka përshëndetur dhe konstituimin e Pralamentit të Kosovës duke deklaruar se është nevoja për një bashkëpunim me të madh mes dy Kuvendeve.

“Shpreh bindjen se Kuvendi i Kosovës, ashtu sikundër deri më sot, por edhe qeveria e Kosovës, e cila pritet që të formohet së shpejti, do të vazhdojnë të ruajnë dhe të luajnë një rol aktiv për stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Shpreh bindjen se bashkëpunimi midis dy kuvendeve tona respektive do të vazhdojë të forcohet edhe më tej”, tha Tavo.

Ai uroi kryetarin e sapozgjedhur të këtij kuvendi, dhe të gjithë përfaqësuesit e legjislativit kosovar për detyrën dhe misionin e tyre fisnik në plotësim të aspiratave të popullit të Kosovës.

a.k./NOA

KOMENTE