English

Vetëvendosja: S'e votojmë Pacollin, s'punon për Kosovën

Prishtinë, 22 shkurt 2011, NOA – Ka rinisur seanca e jashtëzakonshme për votimin e Presidentit të Kosovës, ku deputetët e partive të ndryshme po mbajnë fjalimet e tyre për kandidaturën e Presidentit të ri. Pas Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila deklaroi se nuk do ta votojë Behxhet Pacollin si Presidentin e ri të Kosovës edhe Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se nuk e voton Behxhet Pacollin si President, duke e argumentuar këtë mosbotim me faktin se Pacolli nuk është kandidatura e duhur për President, pasi ai nuk punon për Kosovën, por për Serbinë e Rusinë, kundërshtarin më të fortë të së drejtës së shtetit të ri.

Njëri prej deputetëve të Vetëvendosjes me fillimin e seancës së jashtëzakonshme pas pak minutash pushimi, theksoi se “partia e Pacollit edhe në legjistlaturën e kaluar nuk ka kundërshtuar veprime të qeverisë së Thaçit, andaj ky moskundërshtim e bën Pacollin si një njeri që sheh interesat e tij të ngushta dhe nuk sheh interesin e Kosovës”, tha deputeti i Vetëvendosjes.

“Pacolli paraqitet si vazhdimësi e politikës së Hashim Thaçin. Ishte Behxhet Pacolli ai që inskenoi votëbesimin ndaj Presidentit Sejdiu, duke i thënë Thaçit të bëjë zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat u mbajtën si mos më keq”, tha deputeti Ymeri i Vetëvendosjes.

Sipas tij Thaçi-Pacolli janë një duet i përkryer për të vjedhur, dhe të dy bashkë janë e keqja e Kosovës.

“Ky koalicion është koalicioni i negociatave me Serbinë. Negociatat me Serbinë janë të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës, pasi përmes tyre legalizohet edhe ndërhyrja e Serbisë në Kosovë”, tha deputeti i Vetëvendosjes.

Ai theksoi se Pacolli e ka vetëdeklaruar se sheh nga Serbia dhe është me shpinë nga Shqipëria, duke dëshmuar kështu një të keqe kundër vendit amë.

Deputeti i Vetëvendosjes e mbrojti këtë akuzë duke iu referuar faktit se Pacolli njeri joparimor, dhe se ai është pasuruar në Rusi, që nënkupton edhe lidhjen e tij të ngushtë me Rusinë, e cila është kundërshtari më i madh aktual i së drejtës së Kosovës.

mit/NOA

KOMENTE