English

Berisha uron Pacollin: Bashkëpunim vëllazëror

Tiranë, 23 shkurt, NOA - Kryeministri Berisha i ka dërguar sot një mesazh urimi Presidentit të ri të Kosovës Behgjet Pacolli, me rastin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë. Në këtë telegram urimi kryeministri Berisha shprehet se marrëdhëniet mes dy vendeve do të jenë të shkëlqyera dhe se bashkëpunimi duhet të rritet.

“Zgjedhja Juaj në pozicionin e Presidentit të Kosovës më jep kënaqësinë e veçantë, që, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t’Ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses në misionin e lartë e të rëndësishëm përpara”, thuhet në mesazhin e kreut të qeverisë. Berisha shpreh dhe vlerësimin për kontributin që do të sjellë për Kosovën zgjedhja e Pacollit.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës kanë korrur arritje të mëdha historike gjatë kësaj periudhe dhe unë ruaj besimin se, si President i shtetit më të ri të Europës, Ju do të sillni një kontribut të ri në konsolidimin e mëtejshëm të këtyre arritjeve dhe në shndërrimin e Kosovës në një faktor edhe më të rëndësishëm paqeje e stabiliteti dhe promovuese të miqësisë e të bashkëpunimit në rajon”, shprehet Berisha në telegramin e tij të urimit.

Berisha thekson se qeveria shqiptare “dhe unë personalisht jemi tërësisht të angazhuar dhe të vendosur për të ndërtuar marrëdhëniet më të shkëlqyera e vëllazërore dhe për të shndërruar bashkëpunimin e ngushtë e të gjithanshëm ndërmjet të dyja vendeve në shembullin më kuptimplotë të bashkëpunimit, në shërbim të forcimit të paqes, promovimit të miqësisë, zhvillimit e mirëqenies jo vetëm të kombit shqiptar, por të të gjithë popujve të rajonit, si dhe për ecjen përpara në rrugën e përbashkët euroatlantike.Duke shpresuar t’Ju pres së shpejti në Tiranë, dëshiroj t’Ju ripohoj sigurimet e konsideratës sime më të lartë”, përfundon mesazhi i kreut të qeverisë. a.k/NOA

KOMENTE