English

Politikë e përbaltur

“Dhembje këtu nuk ka, por vetëm sfidë. Është po kjo politikë që dredhon në majë të gishtave, dhe ne nuk e marrim vesh se si po na kthen në një humbje të zakonshme. Këtu, në këtë lojë të trishtë publike nuk ka dhembje të pastërt shpirtërore, as turp, por vetëm çështje personale që kthen bindshëm gjendjen e tij të përditshme në atë të jashtëzakonshme”...

Nga Bujar Plloshtani

Duket qartë se politika e këtij shteti është pothuajse amorale, ose e zhytur gati në trans letargjik prej kohësh. Të jep bindjen se është kthyer kundrejt moralit dhe estetikës shpirtërore, duke hermetizuar gjithçka që ka të bëjë me nevojën e domosdoshme dhe për të mirën e përgjithshme të shoqërisë. Kjo politikë rrjedh nga qeniet joreale të ndërtuar prej balte më shumë. Kudo, pothuaj në të gjitha instancat e larta shtetërore ndihet një mani vrastare mbi moralin shoqëror, ku të gjithë ne, gati e shohim përditë të na tërbojnë e çmendin memorjen me tekat e tyre gjoja politike për një ekzistencë më fatlume dhe të sigurtë.

Fati i krisur i tyre i përzien dhembshëm bindjet dhe sistemin tonë inteligjent duke na mbyllur brenda me logjikën tonë, ndërsa ne ekzekutojmë në ajër, duke thirrur mbase në solidaritet dhe paqe të përhershme. Po na krijohen kushte të tilla të ndërlikuara që mbyllemi vetvetiu në vakum, sepse, ndofta, ndonjëherë mjerimi i tepërt yni na godet me naivitetin tonë pa e diktuar asesi në çastin e duhur. Lojë politike me njerëz joreal, gati njëjtë sikur të jesh në një arenë të mbyllur plot spektakël bindjesh që hidhen në ajër arsyet dhe morali fortësisht i dhembshëm.

Dhembje këtu nuk ka, por vetëm sfidë. Është po kjo politikë që dredhon në majë të gishtave, dhe ne nuk e marrim vesh se si po na kthen në një humbje të zakonshme. Këtu, në këtë lojë të trishtë publike nuk ka dhembje të pastërt shpirtërore, as turp, por vetëm çështje personale që kthen bindshëm gjendjen e tij të përditshme në atë të jashtëzakonshme.

Politikë e përbaltur, këtë epitet mund t’ia vëmë me çdo kusht. E ndërtuar nga qenie të hazdisura që nuk pranojnë të maturohen nga qiejt mistik apo shoqëria, por direkt vendosin për fatin e tyre kundrejt fatit tonë të përgjithshëm. Qenie joreale, që pretendojnë të kthejnë bindjen tonë drejt një suksesi të nevojshëm.

Ndofta janë qenie universale që nuk qeshin asnjëherë përballë vetvetes, jo se nuk guxojnë, por nuk kanë kohë të mjaftueshme nga loja e tyre deshtake për hir të interesave të tyre vetjake. Fatkeqësisht, fati ynë ndodhet në një paudhësirë të pakuptimtë që jemi mbështetur pas eshtrave apo boshteve të tyre, që kanë vetëm në përbërje baltë dhe pak skelet. Politikë e përbaltur kjo e jona, ngase fundekrye duket se është e shkëputur nga pajisja e domosdoshme e nevojës shpirtërore dhe intuitive, dhe më shumë e pajisur me materie dhe qëllime personale. Kjo udhë politikë brenda vetes është e ndërtuar nga qenie të tilla që nuk janë të prirur për të bërë politikë morale për fatin e shoqërisë, sepse nuk kanë brenda vetes qenie reale që të mund më lehtë të diktojnë apo shquajnë të vërtetën e dukshme nga e pavërteta e padukshme.

Udhë e gjatë na duket. Siç duket na ka zënë një kapitje fatale mbi vetitë e brendshme njerëzore, që s’mundemi ta rikthejmë asesi gjendjen e mëparshme tonën. Sigurisht, nga pasoja se, asnjë qenie politike nuk ndodhet mes nesh, të paktën të na ngushëllojnë kur të na godasin me “shpullë”; asnjë fat i qenieve joreale të zhytur në këtë politikë të përbaltur nuk na konceptojnë dot realitetin tonë njerëzor, por më shumë fshihen pas nesh dhe gjithçkaje...

Sot, ka pak njerëz real, dhe dukshëm më shumë njerëz joreal, sepse çështja dhe politika e tyre e përbaltur i kthen në hon pingul. Fatkeqësisht, kjo e drejtë e tyre jo njerëzore, një ditë ekzistencialisht ka për t’iu ngjitur si skelet hënor në fytyrë, sepse e pavërteta dhe budallallëku masiv misterioz nuk jeton gjatë kohë.

Meqë, sot ka pak njerëz real, atëherë ky fat i detyroka të krijojnë ose më mirë të shprehem; të merren me politikë, edhe pse në thelb kanë më shumë baltë duke u dhënë më shumë nga pjesa e tyre joreale; këta, sinqerisht hiqen tepër njerëzor, sepse frymojnë ndryshe, të paktën nga ne njerëzit e rëndomtë. Këtu është diferenca mes qenieve joreale brenda shijes së politikës së përbaltur, dhe racës shoqërore të përditshme. Pothuajse, janë vetë këta qenie joreale që na shtyjnë ne të “shijojmë” paksa politikën e tyre të përbaltur që, fundja për to mbetet veçse një krenari e përkohshme, sipas qëllimit vetjak mbi largësinë e tyre të (pa)turpshme.

a.k/NOA

KOMENTE