English

Protestë para Kuvendit për regjistrimin etnik

Tiranë, 26 shkurt, NOA - Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet si dhe Klubi i Patriotëve të Rinj kanë protestuar sot kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare

Gjatë protestës qytetarët kërkuan shtyrjen e regjistrimit dhe hapjen e dialogut publik.

Në protestë u këndua Hymni Kombëtar dhe këngë patriotike, si një shenjë për të mos heshtur ndaj dëmit që po tentohet t’i bëhet kombit. Të pranishmit në këtë aktivitet mbanin pankarta kundër regjistrimit si “Ndal regjistrimit mbi baza etnike dhe fetare”, “Shqipëria nuk është shtet multietnik”, “Shqipëria nuk është për t’u shitur”, etj.

Me parullat “O sa mirë me qenë shqiptar”, “Rroftë Kosova, Rroftë Çamëria, Rroftë Shqipëria”, etj., protestuesit kërkuan shtyrjen e regjistrimit dhe hapjen e dialogut publik. Koordinatori i Klubit të Patriotëve të Rinj, Jetmir Salaj, akuzoi politikanët shqiptar se po bëjnë një vesh shurdh dhe një sy qorr dhe kërkoi prej tyre që të tregojnë përgjegjshmëri për atdheun.

“Po e hap këtë manifestim duke kërkuar një minutë heshtje në nder të politikanëve të vendit tonë që bëjnë një vesh shurdh e një sy qorr. Të gjithë ju miqtë e mi të ardhur nga të katër anët e vendit sot këtu jeni për tu falënderuar. Çështja dhe atdheu ju thërret. Për të gjithë ata që s’na njohin, jemi ne fëmijët tuaj shqiptarë që po ju flasim. Jemi sot këtu për tu thënë ju prindër shqiptarë t’i lini zënkat, fundja të gjithë shqiptarë jemi”, tha Salaj.

a.k/NOA

KOMENTE