English

Ministri Basha: Videosurvejimi i Tiranës ndihmon sigurinë publike

Tiranë, 27 shkurt 2011, NOA Update – Kryeqyteti shqiptar do të mbikëqyret brenda pak ditësh 24 orë në 24 nga videokamerat e survejimit, të cilat do të vendosen në vende jo të dukshme nga syri i qytetarit, por që do të mundësojë vëzhgimin pamor me kamera 24 orë në 24, për të gjithë territorin e Tiranës, hyrjet dhe daljet e qytetit, kryqëzimet e rrugëve, vendndodhjet e shkollave, mjediset publike e social kulturore, bankat dhe tregjet e biznesit. Projektin e videosurvejimit të Tiranës i titulluar “Për një Tiranë Europiane” e prezantoi sot vetë Ministri i Brendshëm Lulzim Basha.

Ministri i Brendshëm deklaroi se kjo teknologji bashkëkohore do të parandalojë krimin, zbulimin, ndjekjen dhe dokumentimin e tij.

Mësohet se informacioni që ofron sistemi i videosurvejimit do të përcillet në kohë reale në qendrën operative, e cila e përcjell atë në mënyrë të menjëhershme tek forcat policore në terren.

Ky sistem pritet t’i vijë në ndihmë edhe shërbimit ambulator shëndetësor, shërbimit zjarrfikës dhe shërbimeve të tjera për qytetarët dhe komunitetin.

“Ky sistem do të përmirësojë në mënyrë të ndjeshme sigurinë publike pranë shkollave, ambienteve publike, qendrave të biznesit dhe në rrugët e Tiranës, dhe gjithashtu do të operojë në kushtet e mbrojtes së privacisë së qytetarëve bazuar në normat dhe standardet e Bashkimit Europian”, u shpreh Ministri Basha.

Projekti për vëzhgimin e territorit të Tiranës do të fillojë menjëherë nga zbatimi dhe faza e parë e tij do të përfundojë në muajin nëntor.

Ky projekt do të adoptohet më tej edhe në qendra të tjera të mëdha të vendit, në Durrës, Vlorë, Fier, Shkodër, Korçë dhe Elbasan.

Sipas Ministrit të Brendshëm, bashkëpunimi i policisë me komunitetin dhe në shërbim të komunitetit mbetet rruga e vetme për të shënuar suksesin e këtij projekti për forcimin e mëtejshëm të rendit dhe sigurisë publike për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë vendit.

Basha tha se “përdorimi në rritje i teknologjisë së informacionit dhe dixhitalizimi i shërbimeve mundësuan arritje të mëdha për qytetarët shqiptare, ndër të cilat më e prekshmja lëvizja e lirë në zonën Shengen”.

mit/NOA

KOMENTE