English

Ministria e Punës çel me artistet, javën e aktiviteteve të 8 Marsit

Tiranë, 4 mars 2011, NOA- “Unë dua të jem e lirë”, një orë për gratë, kështu është titulluar aktiviteti i zhvilluar nga Ministria e Punës, i cili çeli javën e aktiviteteve me rastin e 8 Marsit.

Ndërsa nën moton “Një orë me poezi për gruan”, me krijimtarinë e poetes Vojsava Nelo, specialiste në Drejtorinë për Shanse të Barabarta dhe familjen në Ministrinë e Punës, interpretuar nga aktoret e mirënjohura të skenës dhe ekranit shqiptar, Margarita Xhepa, Hajrie Rondo, Roza Anagnosti dhe me pjesëmarrjen e këngëtares së mirënjohur Irini Qirjako, ishte aktiviteti që çeli javën e gruas në ambientet e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Aktiviteti ishte një kolazh poetik për gruan, botën dhe problematikën e saj.

Ai u përcoll me dashuri, me humanizëm dhe ndjenjë nga aktoret e mirënjohura të ftuara në këtë aktivitet sensibilizues dhe ndërgjegjësues në lidhje me të drejtat e grave.

Artistja e Popullit Margarita Xhepa, Artistja e mirenjohur Hajrie Rondo, Artistja e Merituar Roza Anagnosti i dhanë këtij aktiviteti emocione të forta. Po kështu u recituan dhe u sollën impresione edhe nga gratë e tjera të pranishme në aktivitet. Një moment kulmor i aktivitet ishte shfaqja e spoteve "Unë dua të jem e lirë”, “Nuk dua të shpall luftë me ty”, “Stop dhunës në familje".

Artistet dhe pjesëmarrëset nëpërmjet poezive dhe fjalës së tyre dhanë mesazhe për një grua ndryshe, për një grua të lirë, të padhunuar, për një grua me dinjitet të plotë në familje dhe shoqëri.

Në mbyllje të aktivitetit, artistja e këngës polifonike labe dhe elegjiake, Irini Qirjako, i dha këtij aktiviteti një tonalitet të gëzuar.

Aktiviteti ishte një mesazh i rëndësishëm për barazinë gjinore, të drejtat e grave dhe luftën kundër dhunës në familje, përfshirë dhunën ndaj gruas.

a.y/NOA

KOMENTE