English

Al Kaeda inkurajon libianët: Mos u tërhiqni nga lufta kundër Gheddafit

Brega, 13 mars 2011, NOA - Al Kaeda u ka kërkuar kryengritësve në Libi që të vazhdojnë pa ndroje luftën e tyre kundër Gheddafit. Në një videomesazh të publikuar në një prej faqeve të kësaj organizate në internet thuhet se “luftëtarët e Libisë duhet të mos e ndërpresin luftën e tyre deri në rrëzimin përfundimtar të Muammar Gheddafit”.

Ky është reagimi i parë i Al Kaedës pas akuzave të Gheddafit se organizata e drejtuar nga Osama Bin Laden ishte përgjegjëse për nxitjen e revoltave të armatosura në Libi. Mesazhi është transmetuar në internet nga Abu Jahia al-Libi, një prej njerëzve më të afërt të Bin Ladenit.

Në mesazh thuhet se nëse kryengritësit do të humbasin luftën kundër Gheddafit, atëherë çmimi që ata do të paguajnë do të jenë të tjera dekada me dhunë dhe padrejtësi, të njëjta si ato që kanë përjetuar dekadat e kaluara.

“Kujdesuni që të mos braktisni armët tuaja”, thuhet ndër të tjera në mesazhin video të Al Kaedës.

“Libianët duruan për 40 vite regjimin e Gheddafit, i cili i shfrytëzoi dhe e përdori popullin e vet si eksperiment”, thekson Al Libi.

Ndërkaq sa i përket situatës në Libi, mësohet se rebelët kryengritës vazhdojnë të humbasin terren, ndërsa forcat e Gheddafit avancojnë duke përfituar edhe nga bombardimet e avionëve luftarakë në lindje të vendit.

Pas qytetit Ras Lanuf, forcat proqeveritare duket se kanë marrë edhe kontrollin e qytetit Brega dhe po avancojnë drejt Bengasit, që njihet si kështjellë e rebelëve.

mit/NOA

KOMENTE