English

Dita e Verës në Tiranë, gjithçka për festimet

Tiranë, 13 Mars 2011 NOA/ Ervin Tirana - Nesër, pas një dimri të gjatë e të errët, Tirana ashtu si dhe qytete të tjera në mbarë vendin feston “Ditën e Verës”.

Shpresa dhe gëzimi për një të ardhme më të mirë e të begatë, ka krijuar shekuj më parë këtë festë që Bashkia e Tiranës, në 7 vitet e fundit, e sjell gjithmonë e më të hareshme për qytetarët e saj, por dhe vizitorët nga e gjithë Shqipëria.

Joana Bushi, drejtore e Marrëdhënieve me Publikun në Bashkinë e Tiranës, tha sot për agjencinë e lajmeve NOA se një axhendë e ngjeshur festimesh është përgatitur enkas për këtë ditë festive.

Bushi ka rrëfyer detaje të axhendës: “Duke filluar nga ora 10:00 e deri në orët e para të pasdites, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të jehojë nga tingujt e muzikës dhe festimet tashmë tradicionale. Këngëtarë e grupe të njohura të muzikës moderne do të performojnë në skenën e urës së madhe. Zona pedonale e Bllokut do të ofrojë shumë argëtim e surpriza për të rinjtë”.

Ballokumeve të Elbasanit dhe veroreve që Bashkia e Tiranës ofron çdo herë gjatë kësaj feste, do t’i shtohen dhe produktet e shumë kompanive të njohura, të cilat në “Ditën e Verës” do t'i ofrojnë falas për qytetarët.

Fëmijët, si gjithmonë qytetarët e preferuar të kryeqytetit do të gjejnë koncertet e tyre të dashura, Xhaxhi Piktorin dhe shumë lojra të tjera përgjatë bulevardit.

Në Lulishten e “Vëllezërve Frashëri” harqet, muzika klasike dhe stendat e librave, do të jenë edhe nesër, duke filluar nga ora 10:00.

“Dita e Verës” në Tiranë, nuk është më vetëm një arenë gjigante argëtimi, por edhe një vend ku të gjithë të interesuarit mund të informohen për tendencat më të fundit të modës dhe estetikës.

Bushi tregon se “nesër, mund të keni shansin të shihni nga afër modelet më të reja për këtë vit dhe të ndërroni pamjen tuaj nga parukierët dhe estetistët e njohur, që do të performojnë në një skenë gjigante”.

Dita e Verës, si u kthye në një traditë festa e njohur pagane

Dita e Verës, ajo është një festë pagane, shumë më e hershme se krishtërimi. Në këtë ditë të shënuar, Elbasani mbledh miq nga e gjithë Shqipëria.

Dhe kjo edhe për faktin se në këtë ditë të shënuar zhvillohen një sërë aktivitetesh të larm¬ishme, duke filluar që nga ekskursionet në natyrë dhe deri tek dreka e begatshme familjare, ku nuk mungon asnjë herë ballokumja, në përgatitjen e së cilës askush nuk mund t’ua kalojë amvisave elbasanase. Ballokumja ose “Syri i Pranverës”, ka derdhur në shije historinë e një qyteti të lashtë dhe si e tillë ka thyer ëmbëlsisht çdo lloj rregulli a ligji në rendje, deri në kontinentin e largët, Amerikë e Australi. 14 Marsi është kthyer tashmë një festë mbarëkombëtare për të gjithë shqiptarët, në të gjitha viset, festë që sjell gëzim dhe hare.

Duke iu referuar Ditës së Verës, kësaj feste me një shije poetike të hollë e të rrallë, Konica këshillonte dhe uronte, më shumë se një shekull më parë:

“Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriu, veçse sjellin një gëzim të kulluar”.

e.t/NOA

KOMENTE