English

Napolitano fton Pacollin të vizitojë Italinë

Prishtinë, 14 mars 2011, NOA - Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano i ka dërguar një ftesë zyrtare Presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli për të vizituar Italinë dhe për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të 150-vjetorit të formimit të Italisë së bashkuar, festës kombëtare të Italisë që do të organizohet në 2 qershor në Romë. Ftesën e Presidentit italian ia dorëzoi zotit Pacolli, ambasadori i Italisë në Kosovë, Michael Giffoni.

Në ftesën e Presidentit Napolitano shkruhet se “Prania Juaj do të ishte një nder për mua e për Qeverisë Italiane dhe do të përbënte një dëshmi të re domethënëse të lidhjeve të forta të miqësisë që bashkojnë Kosovën e Italinë”.

“Me shpresën se shumë shpejt do t’ju takoj në Romë, kam kënaqësinë t’ju shpreh përshëndetjet e mia më të përzemërta”, shkruan ndër të tjera në ftesën e tij Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano.

Presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli e ka pranuar me kënaqësi ftesën e dorëzuar nga ambasadori italian.

Gjatë vizitës në Romë, Presidenti Pacolli përveç Presidentit Napolitano do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit italian, me komunitetin e biznesit dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë italiane.

mit/NOA

KOMENTE