English

Thaçi, me Erdogan: Kosovën e keni ndihmuar shumë

Në kuadër të Samitit Botëror të Liderëve të Ndryshimeve, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Kryeministri turk ka premtuar angazhimin e Turqisë për të siguruar njohje të reja për shtetin e Kosovës

Ankara, 14 mars 2011 NOA – Mirënjohje për mbështetjen që i ka dhënë Turqia Kosovës në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe të zhvillimit, ka shprehur Thaçi ndaj homologut turk Erdogan, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë në procesin e njohjeve të Kosovës dhe investimet turke në Kosovë.

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Stamboll, ku po merr pjesë në Samitin Botëror të Liderëve të Ndryshimeve, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan (Rexhep Taip Erdogan). Bashkëpunëtori i agjencisë NOA raporton se në takimin mes dy kryeministrave është diskutuar për aktualitetin politik dhe ekonomik në rajon, me theks të veçantë për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit të shkëlqyer mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë në të gjitha aspektet, që janë në interes të të dyja vendeve. Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan ka përgëzuar kryeministrin Thaçi për krijimin e institucioneve të reja legjitime dhe kredibile të Kosovës dhe ka premtuar angazhimin e Turqisë për të siguruar njohje të reja për shtetin e Kosovës. Në takim, Thaçi ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që i ka dhënë Turqia Kosovës në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe atë të zhvillimit dhe integrimit, duke potencuar në veçanti mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë në aspektin e njohjeve për shtetin e Kosovës dhe investimet turke në Kosovë. Kryeministri Thaçi në takim ka njohur Erdogan me angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy shtete të pavarura, si dhe për përcaktimin e fuqishëm për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës. Edhe kryeministri turk ka shprehur mbështetjen e tij të fuqishme për dialogun teknik mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ka shprehur qëndrimin se kjo është rruga e të dyja vendeve për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Duke folur për përkushtimet e kabinetit të ri qeveritar, Thaçi mes tjerash ka theksuar se “mandati i kabinetit të ri qeveritar është mandati i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, mandati i integrimit dhe mbi të gjitha mandati i forcimit të bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit” dhe ka theksuar se “Republika e Kosovës mirëpret përfshirjen e Turqisë në aktivitetet e forcimit të bashkëpunimit rajonal në Ballkan dhe e konsideron atë një partner strategjik të Kosovës”. a.b/NOA

KOMENTE