English

Protesta në Gërdec: Votën tonë në lule të ballit qeverisë vrastare

Tiranë, 15 mars 2011, NOA – Në trevjetorin e tragjedisë së Gërdecit opozita shqiptare ka nisur sot pasdite një protestë ku kërkojnë largimin e kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij nga pushteti. Në krye të protestës është lideri i opozitës Edi Rama.

Përfaqësuesit e opozitës kanë nisur të mbajnë fjalimet e tyre në foltoren e vendosur enkas në zonën ku tre vjet më parë shpërtheu fabrika e demontimit të municioneve në Gërdec, duke marrë jetën e 26 vetëve.

Përgjatë kraterit të Gërdecit protestues të shumtë mbajnë në duar parrullat “Fajin e ka Saliu”, ndërkohë që thërrasin “Poshtë Sali Berisha”, apo “Berisha kriminel”.

Fjalimet i çeli deputeti i Partisë Socialiste Namik Dokle, i cili deklaroi se shqiptarët nuk mund të durojnë më vrasjet e shqiptarëve nga qeveria Berisha, i cili pas vrasjes së 26 vetëve në Gërdec vrau edhe katër demonstrues në 21 janar.

Dokle bëri thirrje që qeveria Berisha të largohet sa më parë.

Në këtë kontekst ai tha se qeveria e Sali Berishës duhet rrëzuar me votë.

“Votën tonë në lule të ballit kundër qeverisë vrastare”, thirri deputeti socialist Namik Dokle.

Kreu i Partisë për ligj e Drejtësi Spartak Ngjela kërkoi largimin e kryeministri Berisha, pasi ai shkaktoi tragjedinë e Gërdecit ku humbën jetën 26 vetë dhe vrau edhe katër demonstrues në bulevard në 21 janar, duke dëshmuar se nuk është i zgjedhuri i popullit të vet.

KOMENTE