English

Kundrejt politikës së rrejshme morale

Nga Bujar Plloshtani

Duhet shkoqur ta dimë se çfarë kërkoj unë nga politikani: në radhë të parë ai të spostohet nga fjala që vesh gjykim demagogjik, dhe e dyta të heqë dora përfundimisht nga përfitimi i paligjshëm; por të thellohet më tepër ndaj veprimit të ndërgjegjshëm mbi të mirën e shoqërisë. Kur politika të thellohet në bazën e arsyes kritike mbi planin e qeverisjes së shtetit, atëherë e drejta dhe ligji do të veçohen kryesisht nga fjala demagogjike, dhe për më tepër do të kontribuojë në planin përtej së mirës së shoqërisë duke e spastruar nga iluzionet e përditshme. Kjo kërkesë mbetet vetëm një ide utopike dhe e përkohshme. Duhet të perëndojë politika amorale më, dhe të zgjojë interes të vazhdueshëm më shumë ndaj realitetit njerëzor, se sa iluzioneve të përditshme. Por, vërtet unë konsideroj se gjykimi politik yni mbetet ende jashtë vullnetit të realitetit njerëzor, dhe për më tepër është i angazhuar në konceptin imagjinar duke na mbushur kokën ne njerëzve të rëndomtë me fjalë dhe filma. Duhet të jetë mjaft më!

Ende mungon kultura e mendimit mbi politikën etike. Nuk ka sot njerëz real që gjykojnë përmes parimit të arsyes kritike, por ka “kafshë irracional” që kalkulojnë ide fantazmash për politikën duke bërë lojë të hidhur mbi fatet e caktuara shoqërore. Ky përcaktim politik që kemi rastisur të shohim këto vitet e fundit të jep bindjen se ende jetojmë me “joshjen e brendisë” së tjetërkujt duke u bërë pakuptim heronj mbi kataklizmën e përgjithshme politike jo morale. Këtu duhet të ketë një zhveshje nga morali i rremë politik. Mjaft kemi përsëritur moralin nëpër qeverisje dhe premtime; aty ku arsyeja mbetet e zprazur krejtësisht. Nuk mund të dëgjojmë tek na premtojnë moralin politik nga “kafshë irracional” se vërtet digjemi dhe dëmtohemi tërthorazi në kohë reale. Shpeshherë, unë jam i mendimit, se aty ku mungon kultura e mendimit mbi politikën pluraliste, kurrsesi, madje e them kaq hapur, se nuk mund të ketë asnjëherë shprehje reale mbi shoqërinë dhe shtetin që të zhvillohen drejt mirëqenies së vërtetë.

“Njëri jeton në kurriz të tjetrit, njëri përparon në dëm të tjetrit. Të gjitha epokat e mëdha të kulturës janë epoka të dekadencës politike: ajo që ka qenë e madhe në kulturë ka qenë gjithnjë jo politike, madje antipolitike...”, shprehet filozofi gjerman Friedrich Nietzsche. Këtë që shpreh Nietzsche nuk është shprehje e nihilizmit, por një e vërtetë e kohës që ndofta ndokujt i djeg. Tek e cila po shohim një përsëritje të dekadencës së kulturës dhe shkencës, pikërisht në kohën, kur politika mbështet gjykimin e saj mbi parimet e moralit imagjinar për të përfituar në kurriz të njerëzimit. Një betim i tyre krejt i palogjikshëm me theks të veçantë demagogjik, përfundimisht të shpie në humnerë paradoksale. Mirëpo, populli ose shoqëria kategorikisht s’duhet t’u besojë fjalëve të tyre me gjykim kinse moral, sepse kështu ne biem fshehtësisht në kontradiktë me kohën. Duhet shmangur me çdo kusht kjo lloj politike që fryn në këtë koncept imagjinar, sepse kështu bëhemi dora e zezë e tyre që na vret papritur. Unë jam i mendimit se politika duhet të zhvishet më nga koncepti i moralit imagjinar (këtu bëjnë pjesë të gjitha partitë politike të sotme), sepse, duke premtuar për hir të fjalës dhe etikës, kështu më tepër rritet dekadenca shpirtërore, ku njerëzimi ende mund të thellohet në besimin duke u përmbysur pa e diktuar thelbësisht. Kjo bindje e tyre politike, që unë e quaj thjesht një lojë taktike mbi fatin e njerëzimit është e hidhur për mbarë shoqërinë. Andaj kërkoj nga politikani të heq dorë nga koncepti moral imagjinar duke përfituar në kohë, por të servojë shprehjen dhe veprimin e ndërgjegjshëm mbi të mirën e shoqërisë.

Pulchrum est paucorum hominum, Horace* - (bukuria u përket pak njerëzve, Horaci). Politika nuk është edukim i lartë, por prioritet, ku me anë të veprimeve politike gati se përherë janë dëshmuar gjëra ta shëmtuara kundrejt njerëzve të caktuar. Politikë shigjetuese, ose hakmarrëse. Ndërkaq, edukimi i lartë u përket pak njerëzve, që kontribuojnë në vlerën e përbashkët për hir të gjithëve. Andaj, politikani nuk do mundet të bëhet asnjëherë e madhërishmja, të paktën këtu tek vendet Ballkanike, sepse e bukura nuk qëndron mbi çështjen, por vetëm mbi nevojën e domosdoshme shpirtërore.

KOMENTE