English

PDIU: Nëse qeveria nuk shpall “non grata” konsullin Ikonomus, do ta shpallin qytetarët

Durrës, 17 mars, NOA - Kryesia e partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet vijoi dje turin e takimeve në qytetin e Durrësit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve Shpëtim Idrizi, Tahir Muhedini dhe Dashamir Tahiri.

Gjatë takimit, kryetari i kësaj force politike, Shpëtim Idrizi ndaloi në të gjitha hapat që ka ndërmarrë PDIU dhe forcat pararendëse për të forcuar dinjitetin kombëtar shqiptar.

Duke folur për provokimet e vazhdueshme ndaj shqiptarëve, Idrizi theksoi se PDIU I ka bërë gjithnjë ballë këtyre provokimeve, duke rreshtuar një sërë aktesh si Marrëveshja e Ujërave, ajo e Varrezave, daljet provokuese të Nikolas Gejxh e Theodhoros Ikonomu, raportin antishqiptar të Dik Martit, etj.

Në ripërsëritje të kërkesës ndaj qeverisë për të shpallur “non grata” konsullin grek në Korçë, Theodhoros Ikonomu, Idrizi deklaroi se nëse nuk ndërmerret një akt i tillë, atëherë do të jenë qytetarët shqiptarë, ata që do të shpallin “non grata” konsullin Ikonomu.

Ndërsa Presidenti i nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini theksoi gjatë aktivitetit se ajo çka është bërë gjatë gjashtë viteve nga PDI dhe PDU janë kurorëzuar me bashkimin e këtyre forcave politike.

“Gjithnjë, Idrizi ka qenë bashkë me ne në një betejë të përbashkët për çështjen çame dhe për çështjen kombëtare. Bashkimi ynë e forcon këtë kauzë të fortë të shqiptarëve”, tha Muhedini.

n.e/NOA

KOMENTE