English

Berisha nga Durrësi: 2013-ta do të dëshmojë edhe një herë se cili je ti Edi Rama

Durrës, 18 mars 2011, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha ditën e sotme u ndal në qytetin Durrësit ku ka qenë i pranishëm në inaugurimin e përfundimit të rikonstruksionit të rrugës Glauki, në këtë qytet, një investim që kap vlerën e 120 milion lekëve.

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për inaugurimin e kësaj unaze, e cila theksoi ai, ka të gjitha parametrat e një bulevardi të vërtetë.

Ai e cilësoi këtë fushatë si fushatë për qytetarin, si dhe garantoi se në këtë mandat do të marrë zgjidhje përfundimtare problem i ujit të pijshëm ku një linjë e re po vendoset nga Fushë-Kuqja në Durrës.

Ai theksoi se një tjetër ujësjellës do të ndërtohet në Skuran, të cilët do të furnizojnë me ujë të pijshëm 24 orë.

Duke folur për zgjedhjet vendore të 8 majit, kryeministri tha se “Në këtë fushatë si në çdo fushatë tjetër, ne do të qëndrojmë në politikën, në alternativën e vlerave. Ne nisim fushatën e qytetarit , me qytetarin dhe për qytetarin dhe aleancën e kemi quajtur “Aleanca për Qytetarin”, sepse ne nuk mund të kemi, interesa të tjera përveç interesave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, sepse ne nuk mund të kemi vlera të tjera, veçse atyre që ndajmë me ju, sepse ne, nuk mund të kemi kulturë tjetër, veçse besimit tek njëri- tjetri, besimit tek vlerat e përbashkëta, tek familja, tek komuniteti, tek qyteti, tek komuna, tek Shqipëria”.

Duke iu referuar Partisë Socialiste dhe kreut të saj Edi Rama, Kryeministri Berisha tha: “Kundërshtarët tanë premtojnë se do të vazhdojnë alternativën e bllokimin, alternativën e nihilizmit, ju bëj thirrje, ndiqini kur flasin dhe do të konstatoni se nga buzët e tyre, dalin vetëm mohime, nga goja e tyre dalin vetëm mashtrime. Ata betohen se do ta bëjnë politike këtë betejë. Ne ju themi atyre se ne këtë betejë e kemi për vlerat, e kemi për interesat e qytetarëve shqiptare, e kemi për fëmijët e tyre, por sa për politikë, dua ti them shokut Rama, prit 2013 se do të dëshmojmë dhe njëherë se cili je”.

Ai i kujtoi kryeopozitarit edhe rezultatet e vitit 2005 dhe ato të 2009-ës, duke u shprehur sërish optimist për rezultate të suksesshme në zgjedhjet e majit.

Ndër të tjera ai përshëndeti edhe komisionarët e të gjitha forcave politike dhe i ftoi ata që ta bëjnë këtë proces procesin më të besueshëm më të mirë, që ka njohur Shqipëria dhe shqiptarët.

Zgjedhjet e 8 majit, kreu i qeverisë i vlerësoi si një fitore thellë për Partinë Demokratike. “Le ta shndërrojmë ne këtë fushatë në fushatën e debatit të madh për interesat tona. Le të ndërtojmë ne së bashku në këtë periudhë projektet e Shqipërisë, vend i zhvilluar, le të ndërtojmë ne projektet e Durrësit, Shijakut, Ishmit, Krujës, Fushë-Krujës, mbarë Shqipërisë”, tha ai.

Kryeministri Berisha përmendi edhe investimet e bëra në vend si dhe dyfishimin e rrogave të arsimtarëve, rrogat e mjekëve, e infermierëve, dhe në tërësi rrogat e administratës si dhe dyfishimin e të gjitha pensioneve minimale.

a.y/NOA

KOMENTE