English

Kryeministri Berisha letër ngushëllimi Presidentit Obama

Tiranë, 20 mars 2011, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha nëpërmjet një telegrami ka ngushëlluar Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama për ndarjen nga jeta të ish-Sekretarit të Shtetit Warren Christopher.

Kryeministri Berisha ka vlerësuar mbështetjen e sekretarit Christopher, ndaj reformave demokratike në Shqipëri, si dhe ka shprehur mbështetjen dhe ngushëllimin për familjarët e të ndjerit.

Në telegramin e tij, Kryeministri shkruan:

“I dashur zoti President,

Me keqardhje të thellë kam mësuar për ndarjen nga jeta te politikanit dhe diplomatit të shquar amerikan por edhe mikut të Shqipërisë e kombit shqiptar, ish-Sekretarit te Shtetit Warren Christopher.

Më lejoni që në këtë çast dhimbjeje në radhë të parë për familjarët e Warren Christopher por edhe për Ju, qeverinë tuaj dhe popullin mik amerikan, t’ju shpreh, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e këtij personaliteti e miku të shquar.

Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë mbështetjen e sekretarit Warren Christopher, ndaj reformave demokratike në Shqipëri si edhe kontributin e këtij diplomati amerikan nder më të shquarit qe me urtësinë, mençurinë dhe aftësitë e tij të veçanta luajti një rol të çmuar për paqen dhe stabilitetin ne rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, ndaj edhe i bashkohen hidhërimit tuaj, dhe ndajnë sot me familjen Christopher, me ju dhe me kombin mik e të madh amerikan hidhërimin për humbjen e këtij amerikani e diplomati të madh dhe i bashkohen lutjeve tuaja që shpirti i tij të gjej paqen e amshuar”.

a.y/NOA

KOMENTE