Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Në pritje për të parë Presidentin Pacolli
English

Në pritje për të parë Presidentin Pacolli

“Ajo mori e pashtershme “zbulimesh” rreth personazhit Pacolli e ka pasur gjithsesi të mirën e vet. Mund të thuhet pa e tepruar se qytetarët e Kosovës e njohin sot personalitetin njerëzor të Presidentit të tyre shumë e shumë më mirë nga ç’njihnin personalitetin njerëzor të Rugovës apo të Sejdiut. Nuk ka më asnjë rëndësi orvatja për të ndarë ç’është e vërtetë e ç’është e sajuar në ato që janë thënë e stërthënë rreth jetës personale”...

Nga Besnik Mustafaj

Gjatë më shumë se katër vjetëve, qyshkur Bexhet Pacolli u kthye në Kosovë për t’u përfshirë në politikë, rreth figurës së tij janë publikuar një mori e pafund faktesh që kanë prekur gjerësisht jetën e tij private, mënyrën e tij të pasurimit, marrëdhëniet e tij me Serbinë e posaçërisht me Milosheviçin, marrëdhëniet e tij me Rusinë, ku në qendër, sigurisht ka qenë Jelcini dhe familja e tij, e plot e plot aspekte të tjera. Shumë pak, fare pak madje, kam parë të merren në shqyrtim qoftë nga mediat, e qoftë nga kundërshtarët e tij politikë, qëndrimet e deklarimet e tij politike qoftë si deputet në Kuvendin e Kosovës, e qoftë si kryetar partie.

Një shproporcion i tillë i dukshëm i vëmendjes së opinionit publik e politik të Kosovës midis asaj që kishte bërë Pacolli kur nuk përfaqësonte asgjë tjetër veç vetes e kompanisë së vet dhe asaj që bënte tashmë si përfaqësues i popullit të Kosovës, më është dukur si shprehje e kureshtjes së sëmurë me të cilën rrethohen gjithandej në kohën tonë “staret”. Kam menduar gjithashtu se kjo i ka pëlqyer edhe vetë Pacollit, i cili kishte punuar e kishte arritur ta ndërtonte jashtë Kosovës profilin e vet prej star-i. Ai thjesht po e transferonte në Prishtinë këtë profil. Por më ka rënë gjithashtu në sy moskokëçarja e tij për të ndërtuar krahas kësaj edhe profilin e një politikani të angazhuar seriozisht në fatin e Kosovës. Me aq sa kam mundur unë ta ndjek nga larg jetën politike të Prishtinës, më ishte krijuar përshtypja se ai nuk kishte ndonjë ambicie të madhe politike, aq më pak kisha arritur ndonjëherë të mendoja se ai përgatitej të merrte përsipër rolin qendror, siç është ai i Presidentit të vendit të vet.

Ajo mori e pashtershme “zbulimesh” rreth personazhit Pacolli e ka pasur gjithsesi të mirën e vet. Mund të thuhet pa e tepruar se qytetarët e Kosovës e njohin sot personalitetin njerëzor të Presidentit të tyre shumë e shumë më mirë nga ç’njihnin personalitetin njerëzor të Rugovës apo të Sejdiut. Nuk ka më asnjë rëndësi orvatja për të ndarë ç’është e vërtetë e ç’është e sajuar në ato që janë thënë e stërthënë rreth jetës personale, profesionale apo publike të Pacollit. Një merak i tillë do të kishte kuptim vetëm deri në zgjedhjet e përgjithshme të dhjetorit të kaluar, kur ai u paraqit përsëri para elektoratit dhe u rizgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës. Ligjërisht dhe as publikisht mandati i tij i dytë parlamentar, me sa kam unë dijeni, nuk është kundërshtuar. Po të pranojmë se populli nuk gjykohet për zgjedhjet që bën në demokraci, kjo fitore e dytë shënon për vetë Pacollin një arritje thelbësore. Numri i mjaftueshëm i votave që mblodhi rreth emrit të vet si dhe të partisë që kryesonte, vulosi të drejtën e tij për t’u ndierë rehat me të kaluarën e vet. Dhe kjo nuk është pak, sidomos sot që duhet të përqendrohet në përmbushjen e përgjegjësive shumë të larta që mban si President i Republikës.

Pak javë pasi kishte marrë mandatin e tij të dytë si deputet në Kuvendin e Kosovës, ai u ballafaqua edhe një herë, madje më ashpër se kurrë më parë, me vëmendjen e opinionit publik si edhe me gjykimin e kolegëve të vet deputetë si kandidat për President i Republikës. Midis kohës së rikonfirmimit si deputet dhe paraqitej si kandidat për postin e Presidentit të Republikës, ishte një periudhë tjetër e mjaftueshme që të shpalosej sërish nga e para e gjithë e kaluara e tij. Kandidimi i tij dëshmonte gjithsesi se kushtet ligjore të parashikuara nga Kushtetuta, ai i plotësonte. Votat që mori në mbyllje të procesit zgjedhor brenda Kuvendit të Republikës, tashmë janë provë se në gjykimin e më shumë se gjysmës së kolegëve të vet deputetë, ai i plotësonte edhe kushtet morale për ta drejtuar vendin. Çasti solemn i bërjes së betimit nga ana e tij do të duhej të shënonte një kthesë të plotë edhe në sjelljen e kritizerëve të tij. Sipas mendjes sime, nuk ka më asnjë logjikë që kritizerët e tij në media apo kundërshtarët e tij brenda politikës t’i kujtojnë atij gratë, paratë, marrëdhëniet me Jelcinin apo takimin me Milosheviçin. Për të gjitha këto ai ka marrë verdiktin përfundimtar atje ku e merr verdiktin një politikan: edhe drejtpërdrejtë në popull, edhe në Parlament. Në këtë verdikt sigurisht që nuk përfshihen faktet e reja, nëse zbulohen të tilla. Por do të ishte një ushtrim i padobishëm për cilindo ripërtypja mediatike e gjërave të thëna e të stërthëna.

Tashmë, Bexhet Pacolli është legjitimisht (deri në një vendim të kundërt të Gjykatës Kushtetuese) President i Republikës. Ai duhet mbajtur në vazhdim në vëmendjen e opinionit publik dhe të opinionit politik për ato që kryen, apo edhe nuk kryen si Kryetar i Shtetit, e jo më për të djeshmen e tij. Një vëmendje të tillë serioze nuk po e shoh të shfaqet. Duket se kritizerët e tij të shumtë i kanë ende orët të kurdisura, kryesisht në të kaluarën parapolitike të Bexhet Pacollit. Me bataretë e tyre ata mund të destabilizojnë sadopak Presidentin Pacolli, sidomos e kanë të lehtë ta destabilizojnë një President fillestar, por nuk e delegjitimojnë dot atë, kjo dihet, që do të thotë se tërthorazi dëmin më të madh ia bëjnë vendit, duke ulur ‘a priori’ cilësinë e punës së Kryetarit të Shtetit. Ndërkohë, nuk kam dëgjuar njeri ta ngrejë zërin, për shembull, pse po hesht Presidenti i Republikës në këtë moment që është me rëndësi të jashtëzakonshme në jetën e sotme e të ardhme të Kosovës. Fjala është për çeljen e bisedimeve Prishtinë-Beograd. Pavarësisht se delegacioni është me kompozim qeveritar, fusha e veprimit të tij prek pak a shumë të gjithë interesat e shtetit, përjashtuar detyrimisht integriteti territorial i Republikës. Në këto rrethana, roli i Kryetarit të Shtetit është i shumanshëm dhe i dorës së parë, aq sa nuk mund të zëvendësohet kurrsesi me protagonizmin kryeministror të Thaçit, i cili duket se pëlqen të marrë shpesh para kombit edhe përgjegjësi që Kushtetuta nuk ia jep.

Në një shtet sovran -republikë parlamentare -mandati i një delegacioni të tillë përcaktohet qartazi nga Kryetari i Shtetit. Kjo i jep të drejtën dhe detyrimin Presidentit të Republikës që të përcaktojë edhe kuadrin e veprimit të delegacionit. Presidenti kështu me zyrën e tij mund të kryente edhe transparencën e kërkuar të bisedimeve me aq sa ta gjykonte ai të dobishme për ta informuar kombin, pa dëmtuar mbarëvajtjen e punës së delegacionit. Kjo nuk do të përbënte mënjanim të Parlamentit. Përkundrazi, do e lehtësonte Parlamentin nga disa debate të parakohshme, dhe jo doemos konstruktive. Funksioni i vërtetë i Parlamentit për sa u përket këtyre bisedimeve, do të duhet të fillojë vërtet me tërë peshën e tij historike kur bisedimet të mbyllen. Dihet se asnjë marrëveshje e arritur nuk do të ketë vlerë pa u ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Aty e vetëm aty, në Kuvendin e Kosovës, duke filluar nga komisionet parlamentare e deri në seancat plenare. do të shoshitet, do të vlerësohet e do të legjitimohet rezultati përfundimtar i bisedimeve. Deputetët nuk kanë arsye të tregohen të paduruar.

Botuar në gazetën “Panorama”

KOMENTE