English

Thaçi mesazh Obamës: Populli i Kosovës përherë mirënjohës ish-kryediplomatit Christopher

Prishtinë, 20 mars 2011, NOA - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ngushëlloi sot presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama dhe popullin amerikan, për ndarjen nga jeta të ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Warren Christopher. Përmes një telegrami ngushëllimi shefi i ekzekutivit të Kosovës shpreh dhimbjen e tij për ndarjen nga jeta të diplomatit të përmasave botërore, ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Warren Christopher.

“Sekretari Christopher ishte ndër politikanët dhe diplomatët më të shquar amerikanë, që dha kontribut të çmuar në të gjitha periudhat, duke promovuar dhe mbrojtur vlerat më kulmore të paqes, lirisë, demokracisë dhe zhvillimit në mbarë globin”, shkruan kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.

Thaçi në telegramin dërguar presidentit Obama vlerëson se “Diplomati Christopher ishte pjesë substanciale e politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur lirinë, pavarësinë dhe demokratizimin e Kosovës”, duke theksuar se qeveria dhe populli i Kosovës do t’i jenë përherë mirënjohës për kontributin ndaj Kosovës zotit Christopher.

“Vdekja e veteranit të diplomacisë amerikane është humbje e madhe jo vetëm për SHBA të, por edhe për popujt për të cilët ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e paqes dhe arritjen e lirisë”, përfundon mesazhin e ngushëllimit kryeministri i Kosovës.

mit/NOA

KOMENTE