English

Korrupsioni, valë arrestesh në Bashkinë e Tiranës

Tiranë, 21 Mars 2011 NOA Update – Operacion policor në Tiranë, për afera të dyshuara korrupsioni ku është kryer arrestimi i tre punonjësve të strukturave të Bashkisë së Tiranës.

Lajmin e konfirmojnë për agjencinë NOA, burime nga policia e kryeqytetit. Ata thanë se është arrestuar punonjësi i policisë Bashkiake, Ylli Balaj, banues në Tiranë.

Gjithashtu janë prangosur Azem Çelmurataj dhe Agostin Lekgega, inspektorë të Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës, që të dy me banim në kryeqytet, si dhe qytetari Simon B., banues në zonën e Sanatoriumit në Tiranë

Arrestimi i punonjësve bashkiakë, është bërë nën akuzën e mitmarrjes, kryer në bashkëpunim dhe shpërdorim të detyrës, mbi afera që lidhen me ndërtime pa leje.

Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës, i thanë agjencisë NOA se nga hetimet e kryera seksioni i Task Force pranë Prokurorisë së Tiranës dhe seksionit të antikrimit ekonomiko-financiar në policinë e kryeqytetit, rezulton se dy inspektorët në bashkëpunim me policin bashkiak, lejonin qytetarin Simon B., që të kryente një ndërtim pa leje në Sanatorium, duke përfituar në formën e mitës, shuma të konsiderueshme financiare.

e.t/NOA

KOMENTE