English

Lajçak përmbyll misionin me krerët e politikës shqiptare

Tiranë, 22 mars 2011, NOA- (Update) Pas takimeve me kreun e shtetit Bamir Topi dhe kreun e qeverisë Sali Berisha i dërguari i Bashkimit Europian Miroslav Lajçak ka përmbyllur edhe takimin e tij me kreun e partisë Socialiste Edi Rama, duke kurorëzuar misionin e ngarkuar nga Bashkimi Europian.

I ardhur për të tretën herë në Shqipëri Lajçak mësohet se gjatë takimeve të zhvilluara është përqendruar kryesisht në problematikën e zgjedhjeve dhe në mbarëvajtjen e tyre si dhe vendosmërinë për zhvillimin e tyre në datën 8 maj ashtu si dhe është vendosur.

Gjatë këtyre takimeve i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në vendin tonë, mësohet të ketë theksuar për domosdoshmërinë e dialogut mes forcave politike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të pushtetit vendor në mënyrë që ato të jenë sa më demokratike, të drejta, korrekte dhe sipas standardeve.

Drejtori Ekzekutiv i Shërbimit të Jashtëm i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak gjithashtu mendohet t’u ketë kërkuar krerëve të politikës shqiptare, bashkëpunim mes tyre, në mënyrë që zgjedhjet të jenë të suksesshme.

I dërguar i Baroneshës Kathrin Ashton, mësohet që fjalën e tij do e shprehë në një komunikim me mediat rreth orës 12.30 të mesditës së sotme, ku dhe do të zbulojë rekomandimet e Bashkimit Europian për klasën politike shqiptare.

a.y/NOA

KOMENTE