English

Shpëtojeni profesor Rexhep Qosen

Nga Çerciz Loloçi & Bedri Blloshmi

Një kolegia jonë, shkrimtare e njohur brenda dhe jashtë vendit, natyrisht afër Partisë Demokratike, Miranda Haxhia, dha para do kohësh një opinionin e saj për profesorin e kapur nga e keqja Rexhep Qosja. Opinioni i saj i botuar fillimisht te “RD” dhe më pas te “Bota sot” dhe te disa rrjete internetike, pati mendime pro e kundra që më së paku përpiqeshin të mbronin profesorin që si s’shkruan dhe si s’boton askush përveç “GSH”.

Përkundër keqkuptimit të shumëkohshëm të profesorit të angazhuar më shumë në artikuj kritikë dhe gjuhësorë që shkojnë deri në 28 apo 29 libra, Tirana zyrtare e komunizmit apo e demokracisë ka qenë më shumë dashamirëse ndaj përkrahjes së këtij intelektuali prej Vuthaj, se sa vetë Prishtina apo Beogradi që ose e ka futur në ujë, ose nuk ka denjuar të bëjë publike shërbimet ndaj regjimit diktatorial.

Edhe në kohën e ndalimit të madh mes Shqipërisë dhe Kosovës, pavarësisht se ishin dhe janë i njëjti komb, Rexhep Qosja ka hyrë dhe ka dalë në veprimtaritë më të rëndësishme kulturore mes dy vendeve, ndërsa ka qenë naivisht një lloj modeli në protesta e studentëve të Dhjetorit që iniciuan përmbysjen e regjimit komunist.

Kush është Rexhep Qosja

Pa dashur të shtojmë apo të heqim ndonjë frazë, po ripërsëritim biografinë e shpërndarë prej tij. Lindi më 25.VI.1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci. Më 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960 u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës ku u diplomua më 1964. Në vitin 1967 pranohet asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967-68 specializon shkencën e letërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Më 1969 zgjidhet bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktorimit, më 1972, është zgjedhur, një herë bashkëpunëtor i lartë e, pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, profesor inordinar dhe, mandej, profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri në vitin 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare “Jeta e Re”. Ka botuar një numër të madh recensionesh, vështrimesh, artikujsh, sprovash, trajtesash dhe studimesh nëpër shumicën e revistave shkencore dhe letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe e të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Deri tani ka botuar disa libra, në mesin e të cilëve edhe “Historinë e romantizmit shqiptar”, në tri vëllime. Libri “Letërsia dhe kritika” i është botuar në serbokroatisht, kurse romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” i është botuar në serbokroatisht, në sllovenisht dhe në bullgarisht. Drama “Sfinga e gjallë” i është botuar në serbokroatisht, kurse drama “Beselam pse më flijojnë” në arabisht. Proza, ese dhe studime i janë botuar edhe në rusisht, në frëngjisht, në rumanisht, në turqisht, në maqedonisht e në hungarisht. Është përfaqësuar në antologjitë e prozës shqipe të botuara në Jugosllavi, në Paris dhe në Moskë.

Tjetërsimi i profesorit

Siç mund të shihet nga kjo biografi e shkurtër, gjatë periudhës sllavo-komuniste profesor Qosja është disi i njohur në hapësirën ballkanike dhe pak më tej dhe bash për këtë investim kulturor mendohej se në zhvillimet e sotme mbarë shqiptare do të ishte më dobiprurës së pari në krijimtari por edhe në çështjet e pazgjidhura identitare.

Megjithatë kur flasim për krijimtarinë letrare të të dy periudhave të Qoses, të majtë dhe të djathtë, komunistë, ballistë, zogistë, monarkistë, kolaboracionistë, magjypë, ciganë, majëmalas, fushorë, pakica të njohura dhe të panjohura etnike, racistë të viseve amtare, etj, bien dakort se vuthjani nuk është as më shumë e as më pak se gjashtë - shtatë milionë shqiptarë që, përpos punëve të tjera, bëjnë letërsi.

Në fushën e studimeve gjuhësore dhe të kritikës letrare druhemi të japim ndonjë mendim shterues, por jemi të sigurt se nëse nuk do të ishte vullneti i disa botuesve në Prishtinë dhe Fatmir Tocit dhe i “Toenës” në Tiranë që i ribotoi veprat dhe e bëri pa votim të fshehtë nderi i Kurveleshit, nuk dimë kush shtet apo shkollë i referohet kësaj prodhimtarie.

Në pjesën që profesor Qosja e pretendon më shumë, atë të intelektualit pa kompromis, joservil, antitotalitar, mund të thuhet se gjatë periudhës sllavo - komuniste ai ishte aq kritik aq sa mund ta lejonte një regjim që i plotësonte komoditetet e akademikut dhe që përshfaqej mjaft i zellshëm për të ndërmarrë fushata kundër intektualëve shqiptarë në Kosovë, por jo të kombësive të tjera të mbështellë në ish Jugosllavi

Investimi euroatlantik

Edhe mendja më inteligjente dhe fatparashikuese s’mund të mendonte se çfarë mund të ndodhte me kombin shqiptar në fillimshekullin e ri. Por mrekullia megjithatë ndodhi. Së pari Shqipëria, megjithë problemet që i ka sjellë klasa politike, është tashmë anëtare e NATO-s, dmth e aleancës më të madhe të paqembajtjes në botë.

Së dyti, Kosova pavarësisht shqetësimeve që i ka prurë elita politike, është sot një shtet i pavarur, i njohur nga vendet më të rëndësishme të perëndimit. Së treti, shqiptarët në Maqedoni, megjithë foshnjërinë e politikanëve shqiptarë të paqes dhe të luftës atje, falë marrëveshjes së Ohrit janë një faktor i rëndësishëm shtetformues në truallin e brishtë, ndërsa shqiptarët e Malit të Zi, të shtetit që mund të strehohen së toku në një gratacielë amerikane, po fitojnë më shumë të drejta- të gjitha këto të bëjnë të mendosh se për shqiptarët ka një investim euroatlantik. Brenda një prirjeje europiane për të fshirë kufijtë, më shumë se shtetet e mëdha që e kanë përgjegjësinë e këtij projekti, këtë afri e ndjejnë dhe e përjetojnë më shumë popujt e vegjël, të ndarë në shtete dhe kombe të ndryshme.

Nga ky projekt afërmendsh përfitojnë edhe bashkëkombësit tanë, çka domethënë që secili shqiptar në tri apo katër shtete ndihet më i madh dhe më i vlerësuar në hapësirën ballkanike dhe europiane. Dhe ndërsa ndodh ky ridimensionim i shqiptarëve dhe një ndryshim i ndjeshëm mentaliteti, profesor Qosja vazhdon të qëndrojë në llogoren e vjetër duke u shndërruar në një depozitë vreri antishqiptare.

Pavarësisht vlerave që janë gjithmonë të diskutueshme, subjektive e që i mbeten kohës për të situr dhe mbajtur çfarë i hyjnë në punë dhe çfarë jo, duhet pranuar se me a pa të drejtë Qosja ka qenë një farë intelektuali model që mund të bëhej edhe udhërrëfyes për shqiptarë këndej dhe andej kufijve, por ai për vit e më shumë filloi të zvogëlohej, të mbartte një mal vreri që shpjegohet zakonisht ose nga misioni, ose nga karakteri i vetë kësaj qenieje njerëzore. Është e pamohueshme që disa kanale vizive shqiptare, me investime dhe impakt sa media të ngjashme perëndimore, kanë tashmë një grup analistësh afër maxhorancës apo opozitës, por që s’kanë preferuar të imitojnë llogoren e Qoses, pra të pozicionohen haptas ndaj njërës apo tjetrës forcë politike në Prishtinë.

Sot është një hapësirë e lirë, nuk ka censurë, s’ka urdhra e porosi nga organet eprore ish komuniste; edhe kur mund të të mbyllen të gjitha kanalet e shtypit të shkruar apo viziv, ka gjithnjë një sajt interneti që mund të shprehësh mendimet e tua, megjithatë duhet gjetur ndonjë dashamirës i Qoses që ta këshillojë për të bërë një pushim.

KOMENTE