English

Zgjedhjet e parakohshme, më 29 maj apo 5 qershor?!

Shkup, 24 mars, NOA - Zgjedhjet e parakohshme parlamentare planifikohen të mbahen më 29 maj apo 5 qershor, bën të ditur agjencia e lajmeve INA duke u thirrur në burime qeveritare.

Këto dy data nga ana e partive të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI janë diskutuar dhe po shqyrtohen si dy alternativa për mbajtjen e zgjedhjeve, edhe pse deri tani nuk është arritur asnjë marrëveshje me opozitën, e cila ka paralajmëruar bojkotin e zgjedhjeve, në rast se nuk do të plotësohen kërkesat e saj para zgjedhjeve.

VMRO-DPMNE pretendon se ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga opozita lidhur me plotësimin dhe ndryshimin e Kodit zgjedhor, përveç dy kërkesave atë për zhbllokimin e llogarive bankare për TV A1 dhe gazetat e afërta me këtë televizion si dhe kërkesën për ndarjen e barabartë të mjeteve financiare për fushatat qeveritare për mediat, e cila duhej të plotësohej pas zgjedhjeve nëpërmjet një debati të hapur.

Nga ana tjetër, LSDM deklaroi se nuk bëhet fjalë se opozita dëshiron bojkotin e zgjedhjeve, por sipas tyre, kryeministri Nikolla Gruevski dëshiron zgjedhje pa opozitën.

Partitë politike shqiptare gjithashtu janë shprehur të gatshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare. DR dhe PDSH kanë kërkuar vetëm ridefinimin e njësisë zgjedhore 6, për shkak të numrit të tejkaluar të votuesve në krahasim me njësitë e tjera zgjedhore. Në mesin e tri partive politike shqiptare BDI, PDSH dhe DR ka munguar uniteti për të shtruar çështje për të kushtëzuar mbajtjen e zgjedhjeve.

NOA-INA

KOMENTE