English

Breshëri automatiku ndaj policëve, kapet i shumëkërkuari Reis Haxhiraj

Vlorë, 25 mars 2011, NOA – Pasi hapi zjarr me automatik kundër forcave të policisë që e kishin rrethuar, është arrestuar sot i shumëkërkuari për rrëmbimin e një inspektori policie, Reis Haxhiraj, i cili prej 13 vitesh i fshihej drejtësisë shqiptare në Greqi. 40-vjeçari i arrestuar Reis Haxhiraj bashkë me dy persona të tjerë, Artur Rrapaj dhe Zini Hoxha, që të tre të maskuar e të armatosur rrëmbyen në 28 qershor të vitit 1998 inspektorin e policisë Yzedin Gucaj si dhe plagosën vëllanë e tij Dhimitër Gucaj.

Ngjarja ndodhi 13 vitet më parë në vendin e quajtur “Izvor”, rreth orës 17:00.

Policia e Vlorës bën me dije se arrestimi i të shumëkërkuarit Reis Namik Haxhiraj lindur në fshatin Resulaj e banues në Selenicë të Vlorës u arrit falë operacionit të koduar policor “Resulaj”.

Korrespondenti i agjencisë NOA njofton se në arrestimin e Reis Haxhiraj shërbyen informacionet e marra në rrugë operative.

Ndërkohë mësohet se gjatë operacionit për kapjen e tij 40-vjeçari ka kundërshtuar policinë e Vlorës duke hapur zjarr në drejtim të forcave të policisë, porse në momentin që po qëllonte është neutralizuar dhe kapur me automatik në dorë.

Policia e Vlorës bën me dije se gjatë aksionit nuk është lënduar asnjë pjesëtar i operacionit.

Pas kapjes blutë e Vlorës sekuestruan një armë zjarri tip automatik model 56 (kallashnikov) si dhe një sasi fishekësh.

Reis Haxhiraj ishte dënuar nga Gjykata e Apelit të Vlorës në 29-05-2001 me 13 vjet burg për “Rrëmbim personi” e kryer kjo në bashkëpunim edhe me shtetasit Artur Rrapaj dhe Zini Hoxha.

Njëri prej bashkëpunëtorëve të tij Zini Hoxha është arrestuar më herët nga policia.

mit/NOA

KOMENTE