English

Lordi Mc Nally: Zbatimi i reformës në drejtësi, partitë të bashkëpunojnë

Tiranë, 25 mars 2011, NOA – Mbretëria e Bashkuar i jep rishtas mbështetje Shqipërisë në vazhdimin e reformës në drejtësi, por i bën thirrje partive politike të bashkëpunojnë për zbatimin e saj. Këtë mbështetje e ka përforcuar në Tiranë, Ministri i Shtetit për Drejtësinë në Mbretërinë së Bashkuar, Lordin MC Nally, i cili u prit sot nga ministri i Drejtësisë Bujar Nishani.

“Jam këtu për të mbështetur Ministrin e Drejtësisë dhe qeverinë shqiptare për reformën dhe arritjet që kanë korrur gjatë kësaj periudhe, si dhe të jap ndihmesën për disa çështje praktik, që lidhen me reformën në drejtësi dhe zbatimin e saj. Synimi ynë i përbashkët është të krijojmë një sistem funksional drejtësie, të integruar, të pavarur, të pakorruptuar, të paanshëm”, deklaroi Ministri britanik i Shtetit për Drejtësinë, Lordi Mc Nally.

Ministri britanik theksoi gjithashtu se është tejet e nevojshme të vihet në zbatim strategjia për drejtësinë, e cila sipas tij kërkon bashkëpunim mes forcave politike.

“Reforma nuk është çështje vetëm e një qeverie dhe partie, por ajo duhet të jetë një çështje kombëtare dhe duhet të ketë mbështetjen e të gjithë aktorëve politikë. E theksoj se për konsolidimin e shtetit të së drejtës, krijimin e institucioneve të pavarura e demokratike si dhe për vazhdimin e suksesshëm të reformave jetike për vendin dhe të ardhmen e tij evropiane është i rëndësishëm bashkëpunimi mes forcave politike në vend”, tha lordi britanik.

Takimi mes dy homologëve kishte si qëllim promovimin dhe vazhdimin e marrëdhënieve dy palëshe në fushën e drejtësisë, veçanërisht në reformimin e sistemit të drejtësisë sipas rekomandimeve të Bashkimit Europian.

Ministri Nishani në fjalën e tij vuri theksin në vijimin e reformave, ndërkohë që e vlerësoi si tejet të arrirë ekspertizën e dhënë nga ekspertë të Mbretërisë së Bashkuar dhe kontributin e tyre për konsolidimin e institucioneve të drejtësisë në vend si dhe në hartimin e dokumentit përfundimtar të Strategjisë për Drejtësinë.

“Çdo ndihmë e dhënë, çdo cent i derdhur nga populli britanik për drejtësinë shqiptare nuk ka shkuar dëm, por ka rritur efiçencën e sistemit dhe ka dhënë rezultate positive”, siguroi ministri i Drejtësisë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për bashkëpunimin dy palësh kryesisht në fushën e ekstradimeve, të letërporosive, të sistemit penitenciar dhe shërbimit të provës.

Britania e Madhe ka ofruar asistencë teknike dhe financiare në fushën drejtësisë dhe veçanërisht në atë të Shërbimit të Provës, ndërkohë që ajo ka kontribuar me një projekt dyvjeçar në reformimin e Gjykatës së Lartë.

Më pas të dy ministrat në praninë e ambasadorit të Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi dhe ambasadores britanike Fiona Mcllwham përuruan çeljen e projektit “Mbështetje për Shërbimin e Provës dhe përmirësimin e masave alternative të dënimit”, i cili është financuar nga fondet e Bashkimit Europian.

mit/NOA

KOMENTE