English

Hoxhaj: Strategjia për lobim, e gatshme në prill

Prishtinë, 26 amrs, NOA - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka bërë të ditur se strategjia për intensifikimin e njohjeve të reja për Kosovën do të jetë e gatshme rreh mesit të muajit prill dhe se janë duke u bërë përpjekje që implementimi i saj të fillojë sa më shpejt.

Hoxhaj ka thënë se që në fillim të marrjes së detyrës së tij si ministër i Punëve të Jashtme është marrë vendimi për hartimin e dy dokumenteve strategjike, njëri për definimin e pozitës së politikës së Kosovës në rajon dhe tjetri për shtimin e numrit të njohjeve.

“Ne besojmë se deri në mes të muajit prill do ta kemi të gatshme strategjinë për lobim, të cilën do ta prezantojmë edhe në mbledhjen e Qeverisë. Do të kemi edhe një debat publik, ku do të bëjmë përpjekje që të marrim impulse nga gjithë ekipi, në mënyrë që implementimi i saj do të fillojë sa më shpejt”, ka thënë ai.

Sipas tij, strategjia për njohje ka për qëllim që të kujtojë arsyet se, përse disa vende të cilat janë duke lëvizur drejt procesit të njohjes po hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë.

“Ka shumë vende të cilat deri më tani nuk e kanë njohur Kosovën, mirëpo ka edhe shumë të tjera të cilat duket që janë të gatshme të lëvizin drejt një procesi të njohjes, prandaj edhe kjo strategji synon që të analizojë situatën e çdo vendi konkret, cilat janë arsyet pse këto vende deri më tani nuk e kanë njohur Kosovën, a kanë ndonjë faktor të brendshëm politik, etnik, religjioz apo kulturor, të cilët paraqiten si pengesë për mos njohjen e Kosovës. Cila është pozita rajonale e këtyre vendeve dhe me cilat vende këto vende të cilat nuk e kanë njohur Kosovën kanë relacione të ngushta dhe në çfarë forme duhet të ushtrohet influenca jonë”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Kreu i diplomacisë së Kosovës ka theksuar se strategjia lobuese parasheh që presidenti i vendit, kryeministri, kryetari i kuvendit, ministrat, deputetët, shoqëria e civile, akademik, njerëz të medieve, intelektual dhe artistë ta ndihmojnë Kosovën në çështjen e rritjes së njohjeve dhe ta përcjellin një imazh modern të vendit tonë.

Hoxhaj ka bërë të ditur se dokumenti i dytë në të cilin MPJ është duke punuar intensivisht ka të bëjë me hartimin e një strategjie për politikë të jashtme. Sipas tij, dokumenti për politikën e jashtme nuk ka për qëllim vetëm qartësimin e pozitës diplomatike të Kosovës në rajon dhe botë, por edhe marrëdhëniet e mira ekonomike, tregtare e kulturore.“Mendoj që ka nevojë shumë të mendohet dhe të veprohet në një partneritet strategjik, meqë Republika e Kosovës është një vend i vogël dhe nuk ka mjete të nevojshme financiare në dispozicion, por as energji njerëzore që të bashkëpunojë me të gjitha pjesët tjera të botës. Ky dokument i politikës së jashtme do të jetë një orientim afatshkurtër i Republikës së Kosovës në politikën e jashtme dhe do të jetë, po ashtu, edhe një orientim afatmesëm dhe afatgjatë”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka thënë se para çdo vizite të çdo udhëheqësi të lartë shtetëror të Republikës së Kosovës, MPJ bën përpjekje që t’i informojë këto personalitete për vendin, të cilin e vizitojnë, në mënyrë që të ngrihen çështje të natyrës së politikës së jashtme, si për shembull kërkesa për liberalizim të vizave dhe ajo për vendosjen e marrëdhënieve kontraktale me BE-në dhe po ashtu kërkesa për vendosjen e marrëdhënieve bilaterale në mes të vendit vizitorë dhe Republikës së Kosovës, qoftë në fushë të politikës, ekonomisë apo edhe në fushën sociale, të kulturës dhe sportit.

NOA

KOMENTE