English

Kryeministri: Konkursi për parlamentin e ri më transparenti

Tiranë, 28 mars 2011, NOA Update – Pak ditë pas shpalljes së maketit fitues për ndërtimin e Kompleksit të ri parlamentar, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se konkursi për përzgjedhjen e studios fituese ishte tërësisht transparent, pasi sikundër tha kryeministri iu dha e drejta të gjitha studiove për të konkuruar me projektet e tyre. “Ky ka qenë konkursi më i hapur në historinë e vendit, ku morën pjesë 25 studiot më të njohura të botës”, theksoi kryeministri duke i dhënë përgjigje opozitës që akuzoi direkt Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli për shkelje të ligjit në shpalljen e paracaktuar të arkitektit fitues.

Kryeministri Berisha e argumentoi këtë mbrojtje ndaj konkursit ndërkombëtar me faktin se komisioni nuk përzgjodhi asnjë projekt paraprakisht, por sikundër tha kryeministri “pranuam të paguajmë të 25 studiot për hir të transparencës”.

“12 prej studiove erdhën me projektet e tyre, disa të realizuara nga arkitektët më të njohur”, nënvizoi kryeministri.

Sipas tij juria përzgjodhi si projektin më të mirë, duke e vlerësuar në kompleksitetin e tij projektin e arkitektit austriak, Wolfgang Prix.

Shefi i qeverisë i shprehu mirënjohjen të gjitha studiove që iu përgjigjën thirrjes së komitetit për ndërtimin e parlamentit të ri në vigjilje të 100-vjetorit të Pavarësisë.

“Me këtë projekt do të bëhet e mundur që Tirana në 100-vjetorin e festës kombëtare të ketë një nga parlamentet më të bukura”, tha kryeministri.

Duke folur për shtrirjen gjeografike të kryeqytetit shqiptar, kryeministri Berisha tha se nga pikëpamja arkitekturore e urbanistike Tirana është larg kryeqyteteve të Europës.

Në këtë kontekst, shefi i mazhorancës theksoi se “Tirana duhet të zhvillojë ëndrrën e saj për t’u bërë një kryeqytet evropian, që edhe paraqitja e saj të jetë evropiane”.

Kryeministri vlerësoi se me Parlamentin e ri dhe stadiumin kuq e zi, Tirana pritet të marrë një fytyrë tjetër në përvjetorin e 100-të të Pavarësisë së Kombit, që do të kremtohet vitin e ardhshëm.

Duke iu referuar fushatës zgjedhore të 8 majit, kryeministri Berisha siguroi se “projektet e Kryetarit të ardhshëm të Bashkisë së Tiranës, për të cilën kandidon Lulzim Basha do të gjejnë mbështetjen e gjithanshme të qeverisë, me synimin sikundër tha ai, “për ta bërë Tiranën një simotër të kryeqyteteve të tjera evropiane”.

Skandali për ndërtimin e parlamentit të ri doli në pah kur opozita akuzoi të shtunën kryeparlamentaren Topalli për abuzime me konkursin për shpalljen e projektit fitues për Parlamentin e ri.

Sipas opozitës fituesi i projektit, arkitekti i njohur Wolfgang Prix ishte deklaruar në një gazetë vjeneze 12 ditë përpara se kryetarja Topalli ta shpallte atë në Tiranë, në 25 mars.

Projekti fitues për kompleksin e ri parlamentar u shpall maketi 11022 T, i prezantuar nga studio vjeneze COOPHIMELB(L)AU, i arkitektit të njohur austriak Wolgang Prix.

mit/NOA

KOMENTE