English

Krasniqi: Duhet të respektojmë vendimet e institucioneve kushtetuese

Prishtinë, 30 mars 2011, NOA – Menjëherë pas kthimit të tij në Kosovë, kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi reagoi ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth zgjedhjes së presidentit të Kosovës në 22 shkurt.

Kryeparlamentari Krasniqi deklaroi në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës se “Jemi para një realiteti që na është krijuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, mirëpo ende nuk kemi një informacion më të plotë, përkatësisht nuk e kemi vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese”.

Krasniqi i pyetur nga mediat tha se “në këto momente jo krejt normale, ndoshta del diçka e mirë, e kjo është gatishmëria e të gjithë faktorëve që ishin përfshirë në këto procese që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

Krasniqi apeloi se duhet të mësohemi që vendimet e institucioneve të pavarura, të institucioneve të kushtetuese, të respektohen nga të gjithë.

“Kjo është më e mira që mund të thuhet në këtë moment nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës”, theksoi kryekuvendari i Kosovës Jakup Krasniqi.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një konference për shtyp pas kthimit të delegacionit Kuvendit të Kosovës nga vizita zyrtare në Hungari, ku Krasniqi ishte ftuar nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, László Kövér.

Në përbërje të delegacionit ishin edhe Adem Grabovci, kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ismet Beqiri , kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së, Mehmet Hajrizi, shef i kabinetit dhe Skënder Reçica, këshilltar i kryetarit për protokoll dhe marrëdhënie të jashtme.

Në kuadër të kësaj vizite delegacioni nga Kuvendi i Kosovës, përveç se me kryetarin Asamblesë Kombëtare, László Kövér, u takua edhe me personalitete të tjera, si: me sekretarin e shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Hungarisë, z. Zsolt Németh, z. Richárd Hörcsik, kryetar i Komisionit për Çështjet Evropiane dhe z. Zoltan Toth, sekretar i përgjithshëm i Asociacionit të Evropës Qendrore për Zgjedhjet.

Gjatë konferencës për shtyp në aeroportin e Prishtinës, kryeparlamentari Krasniqi tha se ishin rrethanat e krijuara në Kosovë, që bënë që delegacioni të kthehej para kohës së planifikuar.

“Vizita në Hungari ishte shumë e suksesshme. Kjo vizitë nga ana e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, z. László Kövér, u vlerësua historike, sepse ishte e para, pas pavarësisë së Kosovës”, tha Krasniqi.

Ai bëri me dije se tema kryesore të bisedimeve dypalëshe ishin çështja e liberalizimit të vizave dhe integrimet evropiane.

“Hungaria është e interesuar”, tha më tutje, kryekuvendari Krasniqi, “që të ndihmojë në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës , si dhe të mbështesë Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian e anëtarësimin e saj në mekanizmat rajonalë dhe euroatlantik”. “Këtë përkrahje e gjetëm te të gjithë bashkëbiseduesit”, theksoi kreu i legjislativit të vendit.

Sipas tij vëmendje e posaçme iu kushtua edhe bashkëpunimit ndërparlamentar, ndërsa në këtë frymë pritet që të nënshkruhet edhe një memorandum bashkëpunimi ndërmjet dy parlamenteve, që ka për qëllim avancimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

mit/NOA

KOMENTE