English

Idrizi: PDIU kërkon votën e shqiptarëve patriotë për kauzën çame

Tiranë, 2 prill 2011, NOA - Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU), njëra nga partitë e koalicionit të mazhorancës “Aleanca për qytetarin” çeli sot fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet. Përballë mijëra mbështetësve të saj, PDIU, partia e çamëve ftoi të gjithë ata që janë në mbrojtje të çështjes kombëtare që t'i bashkohen në fushatën për zgjedhjet vendore të 8 Majit, me moton “Unë e dua Shqipërinë”.

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi deklaroi se forca që ai drejton është partia e të gjithë shqiptarëve dhe partia që do të çojë përpara çështjen çame dhe çështjen kombëtare.

“Unë u uroj fitore, sepse Motoja jonë është “Ne e duam Shqipërinë’’. Por, ne sot na duhet fuqi e re. Neve na duhet vota juaj. Sot ne na duhet vota e atij të riut, që voton për herë të parë. I themi: voto, një forcë të re, një forcë kombëtare, e cila nuk zhgënjen. Voto, një parti, e cila të bën krenar që je shqiptar! Voto PDIU”, deklaroi gjatë fjalës së tij Idrizi.

Idrizi i bëri thirrje të gjithëve të votojnë partinë e çamëve PDIU, duke theksuar se sot duhet vota e të gjithëve, edhe e plakut çam, të cilit i është ngjallur shpresa se diçka po lëviz në aspiratën e tij të vjetër.

“Sot ne na duhet vota e të gjithë grave, nënave dhe motrave, janë ato, që i japin jetë jetës, që duhet të besojnë tek ne. Voto PDIU, jepi jetë të resë. Sot, ne na duhet dhe vota e dikujt, i cili mendon shumë përpara se të votojë, e që nuk ia jep asnjëherë votën të njëjtës parti. E, ne i themi këtij njeriu: na e jep ne votën, ajo është një votë e dobishme. Ne i themi, shpreso, mos e hidh votën kot, tek ata, që quhen të mëdhenj, por që sillen si të vegjël dhe kanë frikë. Voto PDIU”, bëri thirrje kreu i PDIU-së.

Ai tha se PDIU kërkon votën e shqiptarëve patriotë si një kontribut për kauzën kombëtare çame.

“Ajo votë për ne do të jetë një amanet i madh. Ne do japim llogari përpara tij. Por, ne nuk do zhgënjejmë askënd, pra as atë: ne jemi partia e fjalës së mbajtur”, tha Idrizi.

Ai nënvizoi se PDIU është partia që do të bëjë të pamundurën për çështjen kombëtare pasi sikundër tha ai është partia që ka dalë jashtë skemave të vjetra të aktivitetit politik.

“Ne jemi parti e së resë, por jemi dhe partia e amanetit, partia e flamurit, që nuk lëshohet nga dora, por mbrohet. Ne nuk shesim e blejmë flamuj, por ne ua dhurojmë flamurin e kombit! Ndaj voto PDIU”, tha Kryetari i partisë së çamëve.

“Të konsolidojmë fitoren e arritur në ballafaqimet e mëparshme zgjedhore! T’i japim shpresë shpresës! T”i japim krahë amanetit; t’i japim dritë, errësirës së krijuar nga zhgënjimi dhe mosbesimi!, shtoi Idrizi.

Por në krye të çeljes së fushatës së PDIU-së foli Presidenti i Nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini, i cili i ftoi të gjithë shqiptarët që t'i bashkangjiten forcës së vetme politike që ka marrë përsipër barrën e përfaqësimit të çështjes çame dhe të çështjes kombëtare në përgjithësi.

Muhedini iu referua 17 shkurtit kur dy partitë çame PDU e PDI u bashkuan në një të vetme duke themeluar Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Duke theksuar se PDIU nuk është thjesht parti e çamëve, Muhedini tha se “Detyra jonë është që të gjithë së bashku të drejtuar nga kryetari Shpëtim Idrizi ta çojmë përpara çështjen çame deri në zgjidhjen përfundimtare të saj”.

“Sot, ne jemi një. Në këtë sallë unë nuk po shoh çamë dhe labë, nuk shoh kuksianë dhe tiransë. Në këtë sallë nuk dalloj korçarë dhe mirditorë. Në këtë sallë ne nuk ndahemi nga origjina dhe vendlindja, por na bashkon qëllimi dhe ideali, na bashkon fakti i të qenit shqiptar”, deklaroi Presidenti i nderit i PDIU-së Tahir Muhedini.

Më pas e mori fjalën edhe deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, i cili theksoi se shumë shpejt çamët do të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe se të gjithë anëtarët e PDIU-së janë sot të bashkuar për dinjitetin e kombit shqiptar.

“Qershorin e shkuar ju premtova nga Qaf Bota që udhëtimi ynë i kthimit kishte filluar dhe së shpejti do të shkojmë në shtëpitë tona. Jam sot këtu për t’ju kujtuar këtë premtim. Në rrugën tonë janë bashkuar mijëra shqiptarë të ndershëm, nga të gjitha trojet e nga çdo cep i Shqipërisë. Jemi bashkuar për Kombin Shqiptar, jemi bashkuar për dinjitetin tonë, për shtëpitë e të parëve tanë. Jemi bashkuar për amanetin e prindërve tanë”, tha Tahiri.

Tubimin e PDIU-së e përshëndeti në emër të mazhorancës edhe kandidati i koalicionit "Aleanca për Qytetarin" për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha.

“Tirana jonë dhe njerëzit e saj, komuniteti çam mbeten një aset i paçmuar i progresit. Nuk na besuan kur thamë se do të bëjmë të mundur heqjen e vizave. Sot anëtarët e komunitetit çam janë të lirë të vizitojnë pronat e tyre, trojet e tyre”, deklaroi Basha.

mit/NOA

KOMENTE