English

Mrekulli ekonomike në Shqipëri

Rritje reale në thuajse të gjithë treguesit ekonomikë të këtij vendi

Nga Vasili Daliani

“To Thema”*

Ndërsa rënia ekonomike në Greqi arrin 3% dhe parashikimet më optimiste për shkallën e papunësisë në vendin tonë janë duke folur për 15%, Shqipëria fqinje, paraqet një rritje ekonomike të çmuar dhe mbresëlënëse. Reduktim i deficitit buxhetor, rritje e punësimit dhe ulje e deficitit të bilancit tregtar, të gjitha këto, pasqyrojnë zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të fqinjit tonë në një kohë shumë të keqe ekonomike.

Qeveria shqiptare në përpjekjet e saj për të vazhduar më tej në zhvillimin e ekonomisë së vendit, evidentoi gjithashtu një rritje të konsiderueshme të turistëve në 2010, gjetjen e rezervave të naftës, afërsisht 238 milion fuçi dhe një program ambicioz privatizimi pritet të shtojë të ardhurat e thesarit dhe të tërheqë investitorët e huaj.

Megjithë rritjen e vogël në të ardhurat e qeverisë në vitin 2010, deficiti buxhetor në Shqipëri ka vazhduar të bjerë në mënyrë të konsiderueshme. Nga të dhënat e 2009, kur deficiti arriti në 7,4% të GDP në të dhënat e 2010 konstatohet se deficiti ra në 3,1%.

Sipas shifrave të publikuara nga Enti Statistikor i Shqipërisë, INSTAT, shkalla e papunësisë në vend në vitin 2010 qëndronte në 13,5%, duke pësuar një rënie të lehtë, nga 0,3%, ndërsa pagat në sektorin publik dhe të gjerë publik u rritën. Ju lutem vini re që Shqipëria ka reduktuar numrin e nëpunësve civilë, ndërsa numri i të punësuarve të sektorit privat është rritur pak.

Në vitin 2010 Shqipëria ishte në vitin e parë të dekadës së fundit ku u regjistrua ulje e deficitit të bilancit tregtar. Vlera e përgjithshme e tregtisë në Shqipëri në vitin 2010 u rrit me 19,8% dhe ka arritur në 640.213 milionë lekë, krahasuar me 534,351 milionë lekë në vitin 2009.

Rritja në vlerën e volumit të tregtisë shqiptare erdhi për shkak të rritjes në vlerën e eksporteve në 56,43%, dhe rritjen e vlerës së importeve të vendit me 11% në 2010, kundrejt 2009.

Rezervat e naftës, turizmi dhe privatizimi

Nisur nga treguesit ekonomikë që tregojnë rritje pozitive, autoritetet shqiptare njoftuan disa plane ambicioze zhvillimi, përmes të cilave qeveria shqiptare shpreson të rritë të ardhurat e shtetit, e po ashtu në mënyrë dramatike të ulë kostot e njëkohësisht të sjellë rritje të punësimit në sektorin privat.

Në këtë kontekst, kompania kanadeze "Bankers Petroleum Ltd, e cila vepron nga viti 2004 në fushën e kërkimit të naftës në Shqipëri, publikoi ​​një studim të kryer në 2010 ku spikat se rezervat e naftës që ekzistojnë në nëntokën e rajoneve të caktuara në Shqipëri janë rritur me të paktën 30%, ndërsa rezervat e provuara për vitin 2010 janë vlerësuar në 238 milionë fuçi.

Numri i turistëve, është regjistruar me rritje në masën 5,2%, duke pasqyruar projektin ambicioz të qeverisë shqiptare për të transformuar vendin në një destinacion turistik konkurrues në rajon.

Në këtë kuadër, po shqyrtohet kërkesa e vjetër në kohë e bizneseve turistike për të reduktuar TVSH-në që rëndon mbi produktet turistike.

Rritja e turizmit në vitet e fundit ka kontribuar në ekonominë e vendit në 2009 më shumë se 2.4 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa vlerësimet për 2011 parashohin që të ardhurat nga turizmi të sigurojnë një rritje të mëtejshme, 4%, sipas statistikave nga Këshilli Botëror i Industrisë. Lutemi kini parasysh se të paktën 200.000 shqiptarë punojnë në industrinë e turizmit, një numër që pritet të rritet.

1280 prona shtetërore në privatizim

Ndoshta projekti më ambicioz i planifikuar nga qeveria shqiptare është ai i privatizimit këtë vit (2011), të 1280 pronave publike. Lista përfshin, ndër të tjera, aksionet e kapitalit të kompanive publike shqiptare në industri të tilla të mëdha si Albpetrol, ARMO, të aksioneve të mbetura në kompaninë e telefonisë fikse (Albtelekom), të energjisë elektrike (shpërndarjes së energjisë elektrike ish-OSSH dhe tani CEZ Shperndarje) dhe asaj të sigurimit (INSIG).

E po ashtu janë futur në skemën e privatizimit, hidrocentrale të vogla, prona të ushtrisë të cilat nuk përdoren më, si dhe disa ndërtesa të tjera qeveritare.

Programi i privatizimit pritet të rritë ndjeshëm të ardhurat dhe shihet si mundësi për të zvogëluar edhe më tej papunësinë në vend.

* E përditshme kombëtare e Greqisë/ Përktheu: NOA/ Niko Samaras

KOMENTE