English

Topi dekoron disa personalitete për rrëzimin e komunizmit

Tiranë, 5 prill, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot personalitete të ndryshme të vendit, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të rëndësishëm në lëvizjen demokratike të viteve 1990-91 dhe në rrëzimin e regjimit komunist e të simboleve të tij, në 20 shkurt 1991.

Topi u dorëzoi “Medaljen e Mirënjohjes” në shenjë vlerësimi të veçantë: Lulzim Brahjas, me motivacionin: “Për kontributin në Lëvizjen Demokratike, në rrëzimin e simboleve komuniste dhe fitoren e demokracisë, për ndihmën financiare të dhënë në ndihmë të shoqatave, familjeve kosovare dhe njerëzve në nevojë”;

Agim Buxhelit, Bujar Kore dhe Fatmir Çepani me motivacionin: “Për kurajon, guximin qytetar dhe profesionalizmin e treguar si operator televiziv, në filmimin e ngjarjeve të mëdha të Lëvizjes Demokratike, veçanërisht, të 20 shkurtit 1991, për rrëzimin e monumentit të diktatorit, si simbol i rënies së komunizmit në Shqipëri”;

Eqrem Kavajës, “Medaljen e Mirënjohjes”, me motivacionin: “Për kontribut në organizimin e Lëvizjes Sindikaliste si pjesë e ndryshimeve demokratike dhe në integrimin e familjeve të ish-të përndjekurve politikë”.

Ndërsa me medaljen “Pishtar i Demokracisë”, Topi nderoi: Gani Xhengo, me motivacionin: “Për kontribut dhe profesionalizëm në dokumentimin e ngjarjeve të mëdha të transformimeve demokratike, nëpërmjet, fotografisë dhe botimit të një sërë albumeve, si dëshmi të historisë kombëtare”.

Gjithashtu kreu i shtetit dekoroi Gani Lamin, me motivacionin: “Për pjesëmarrjen aktive, kurajon dhe guximin qytetar të treguar në Lëvizjen Demokratike të viteve 90-të, për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri”.

Kreu i shtetit dekori pas vdekjes, Hysen Berberin, me motivacionin: “Për pjesëmarrjen aktive, kurajon dhe guximin qytetar të treguar në Lëvizjen Demokratike të viteve 90-të, veçanërisht në rrëzimin e monumentit të diktatorit, më 20 shkurt 1991, ku u plagos rëndë në përleshje me policinë dhe më pas gjeti vdekjen”;

Pjesë e dekorimeve ka qenë dhe Jonuz Xhetani dhe Bajram Kruja me motivacionin: “Për pjesëmarrjen aktive, kurajon dhe guximin qytetar të treguar në Lëvizjen Demokratike të viteve 90-të, për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri”

Ceremonia e dekorimeve u zhvillua në mjediset e Presidencës u zhvillua ceremonia e dekorimeve, në prani të përfaqësuesve të Trupit Diplomatik, të Kryetarit të Akademisë së Shkencave, Prof. Gudar Beqirajt, të drejtuesve të shoqatave të të përndjekurve dhe të dënuarve politikë, sindikalistëve, familjarëve dhe të afërmëve të të dekoruarve, studiuesve, historianëve, intelektualë dhe anëtarëve të Kabinetit të Presidentit.

a.k/NOA

KOMENTE