English

Banka Botërore: Sistemi elektronik shqiptar i prokurimit publik i pari në Europë e Azinë Qendrore

Tiranë, 6 prill 2011, NOA – Banka Botërore vlerëson sistemin elektronik të prokurimit publik në Shqipëri dhe e propozon atë si sistemin e parë në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore për t’u përdorur për projektet e financuara nga Banka Botërore.

Ky vlerësim i Bankës Botërore i është dhënë zyrtarisht qeverisë shqiptare nëpërmjet përfaqësueses së saj në Shqipëri, Kseniya Lvovsky.

Ky konkluzion erdhi në përfundim të një misioni të BB-së mbi prokurimin elektronik, gjatë muajit mars 2011, kur pas vlerësimit të hollësishëm të sistemit elektronik të prokurimit publik në Shqipëri, misioni i BB-së arrit në përfundimin se “ky sistem gëzon integritet dhe siguron konfidencialitetin e procesit”.

Bazuar mbi këto vlerësime Banka Botërore ka vendosur të propozojë sistemin shqiptar të prokurimit publik elektronik si sistemin e parë në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore për t’u përdorur për projektet e financuara nga Banka Botërore.

Sistemi shqiptar do të jetë sistem pilot në sistemin e prokurimit elektronik të BB-së, për projektet e rrugëve sekondare dhe lokale së bashku me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Ky vendim i BB-së jo vetëm çertifikon standardin e lartë dhe unik që Shqipëria ka vendosur nëpërmjet adaptimit të prokurimit elektronik për të gjitha prokurimet publike por tashmë, në vijim edhe të çmimit që OKB i dha Shqipërisë në vitin 2010, e përcakton këtë sistem si një model dhe praktikë të mirë për t’u përdorur nga një organizëm prestigjoz si Banka Botërore.

Me këtë vlerësim konfirmohen gjithashtu edhe rezultatet e qëndrueshme të luftës kundër korrupsionit të qeverisë shqiptare dhe përmirësimit të klimës së biznesit nëpërmjet reformave për modernizimin dhe reformimin e proceseve të ndryshme të administrimit.

mit/NOA

KOMENTE