English

Pollo: Kandidatët e koalicionit përfaqësojnë interesat e qytetarëve

Berat, 6 prill, NOA- Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, njëkohësisht deputeti i Qarkut të Beratit, Genc Pollo, i shoqëruar nga deputetët e PD-së së Qarkut të Beratit, Mehmet Xheka dhe Lefter Maliqi, janë ndalur sot në komunën e Kutallisë, ku kanë prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Dritan Sula.

“Ne kemi dashur gjithmonë të kemi një partner tek pushteti vendor, sepse komuna Kutalli ka përfituar jo pak nga investimet e qeverisë. Mjaftojmë të shohim rrugën deri në Drenovisë dhe Samaticë, e cila do të përfundojë në Hingë dhe në Urën e Kuçit, për të parë atë që kemi realizuar. Por këto realizime do të ishin bërë edhe më mirë, edhe më shpejt, në qoftë se në krye të komunës do të ishte një figurë e dashur dhe e respektuar, që ua kthente votën dhe votëbesimin tuaj në punë dhe shërbim për ju”, tha gjatë fjalës së tij Pollo.

Pollo shprehu besimin se edhe ata që kanë votuar më parë për Partinë Socialiste, kësaj radhe kanë një shans që të korrigjojnë partinë e tyre, e cila po degradohet nga njeriu i mbrapsht që ka në krye, një njeri që po e çon PS-në jashtë shinave të demokracisë, po e çon drejt përplasjes së dhunshme dhe izolimit ndërkombëtar. Ndërkohë që me kandidaturën tonë, të cilën do ta votojnë të djathtë dhe të majtë, demokratë dhe socialistë, mendojë që kemi njeriun e duhur për katër vitet e ardhshme dhe ky është mesazhi ynë për gjithë Kutallinë.

“Megjithatë, asnjëherë nuk është vonë dhe asnjëherë nuk thuhet kurrë. Ne mendojmë se sot e kemi këtë kandidaturë, kemi një birin tuaj që e meriton besimin tuaj, për të cilin ne kemi shumë dëshirë që më datë 8 Maj të votojmë për të dhe në datë 9 Maj t’i themi “Mirëdita, z. Kryetar i komunës”... Ndërsa në katër vitet e ardhshme të realizojmë premtimet tona, projektet dhe përmbushjen e nevojave tuaja.”

NOA

KOMENTE