English

Qeveria i kompenson Komunitetit Mysliman tokën në zonën e Namazgjasë

Tiranë, 6 prill 2011, NOA – Ndërkohë që Komuniteti Mysliman prej vitesh kërkon të ndërtojë një xhami të re për Tiranën, qeveria vendosi t’i kompensojë Komunitetit Mysliman tokën në zonën e Namazgjasë, pranë lulishtes së Kuvendit të Shqipërisë. Ky vendim u mor sot në mbledhjen e qeverisë.

Kryeministri akuzoi Bashkinë e Tiranës që me arbitraritetin më të madh ia ka marrë truallin pronë të komunitetit për zgjerimin e rrugës dhe nuk ia ka kompensuar.

“Ky është një nga vendimet e gjykoj të rëndësishme. Ka ndodhur prore që në zgjerim të rrugëve t’u merret tokë pronarëve dhe të mos u kompensohet. Kjo është një praktikë e dënueshme, jo ligjore dhe ka ndodhur edhe me tokën e Komunitetit Mysliman tek lulishtja parlamentit, që njihet si pronë e këtij Komuniteti, si zonë e Namazgjasë”.

Shefi i ekzekutivit tha se qeveria mori në shqyrtim kërkesën e Komunitetit për të marrë masa për ta kompensuar tokën pranë Namasgjasë duke nënvizuar se “vendimi i sotëm në këtë drejtim, është një vendim i drejtë”.

Ky vendim erdhi për shkak se vendi i përcaktuar nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e xhamisë së re është një truall që i është kthyer pronarëve, dhe jo një truall i lirë. Bëhet fjalë për truallin pranë Bibliotekës Kombëtare, e cila i është kthyer pronarëve të ligjshëm, gjë që e bënte kësisoj të pamundur kompensimin e Komunitetit Musliman me një truall në qendër të Tiranës dhe për pasojë edhe ndërtimin e xhamisë së re aq të nevojshme për besimtarët muslimanë në kryeqytet.

mit/NOA

KOMENTE