Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Bashkëveprim i shqiptarëve, përkrahet nisma e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan
English

Bashkëveprim i shqiptarëve, përkrahet nisma e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan

Shkup, 7 prill, NOA - Intelektualë, analistë dhe drejtues të mediave kanë mbështetur nismën e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan për bashkëveprimin e forcave politike shqiptare me një platformë të përbashkët, e cila do të ketë garanci të fuqishme.

Në këtë debat të organizuar me mediat dhe përfaqësuesit e KSHA-së u theksua nevoja e bashkëveprimit të spektrit më të gjërë politik shqiptar rreth arritjes së qëllimeve të shqiptarëve si një etnitet i barabartë në Maqedoni. Në këtë prizëm u theksua edhe çështja e ngecjes dhe aspekteve retrograde të avancimit të çështjes shqiptare përmes Marrëveshjes së Ohrit, e cila pas 10 viteve nuk është realizuar tërësisht.

Sekretari i përgjithshëm i KSHA-së, Iljaz Kadriu theksoi se shqiptarët në Maqedoni doemos kanë nevojë për një plaftormë me të cilën do të dihet se çfarë do të kërkohet dhe cilat do të jetë zgjidhja e problemeve, duke nisur nga problemet më të prekshme dhe më të afërta.

“Ne qëndrojmë pas atyre kërkesave, sepse kemi një mbështetje nga një shtet i fuqishëm dhe nga vendi aleat i shqiptarëve si SHBA-të. Politikat aktuale që përfaqësojnë shqiptarët janë të varfëra, në gjendje inferiore dhe në gjendje të mjerë. Propozojmë një projekt dhe platformë rreth së cilave do të bashkëngjiten njerëz të fushavetë dalluara, por që pas tyre do të qëndrojnë garanci të fuqishme”, theksoi Kadriu.

Statusi juridik i shqiptarëve edhe më tej ngelë i pazgjidhur, edhe përkundër ndryshimeve të fundit në Kushtetutë pas konfliktit të 2001. Praktika dëshmon se shqiptarët edhe më tej nuk i gëzojnë të drejtat themelore. Për këtë është i shqetësuar edhe komuniteti shqiptaro – amerikan, të cilët aktualisht ndodhen në Maqedoni për të mësuar shkaqet dhe për të ofruar ndihmën tyre në unifikimin subjekteve politike shqiptare.

Statusi aktual i shqiptarëve, çështja e gjuhës, e flamurit, mungesa e investimeve në pjesët e banuara me shqiptarë, çështja e luftëtarëve të UÇK -së ishin disa nga çështjet që u debatuan sot në një takim të Komunitetit shqiptaro- amerikan me profesorë , analistë dhe redaktorë nga Maqedonia.

Sipas konstatimeve të tyre, statusi i shqiptar vazhdon të jetë një ndër çështjet kryesore, i cili kërkon unitet dhe bashkim të forcave politike shqiptare dhe që aktualisht kjo mungon.

Sipas Nijazi Muhamedit , analist dhe drejtues i debatit, shqetësimet rreth statusit të shqiptarëve në Maqedoni kanë qenë edhe qëllimi kryesor në kërkim të unifikimit të faktorit shqiptarë e jo përçarjes.

"Ardhja e shqiptaro-amerikanëve ndodhi pikërisht nga shqetësimet e bazuara nga analizat e këtushme dhe nga politikologë të afërt me komunitetin.Erdhën që t’i verifikojnë ato teza erdhën me një platformë të tyre për tu konsultuar për zgjerimin e saj. Momenti është i qëlluar meqë zgjedhjet janë momenti për zgjedhjen e një rruge politike”, tha Nijazi Muhamedi, duke paraqitur pikat kryesore të platformës së Komitetit amerikano- shqiptar.

Osman Kadriu, ekspert i çështjeve juridike theksoi se, me Marrëveshjen e Ohrit ndodhën disa ndryshime kushtetuese në drejtim të përmirësimit të statusit të shqiptarëve por në praktikë hasen vështirësi në implementimin e tyre.

”Sërish erdhëm në një situatë ta vlerësojmë Marrëveshjen e Ohrit, është e qëlluar apo jo? Shqiptarët nuk kërkojnë asgjë përveç një barazi me maqedonasit, gjë që paraqet çështje të komplikuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për përshkrim në letër, por në bazë të karakterit social juridik duhet të sigurohet implementimi i tyre,” theksoi Osmani.

Ai ka përmendur edhe diskriminim e të dëmtuarve në konfliktin e 2001, ku edhe sot e kësaj ditë kanë ngelur pa definimin e statusit të tyre, kurse pala maqedonase për “branitelat” ka arritur ti siguroj të gjithë benificionet e mundshme.

Kryeredaktori i gazetës “Fakti”, Emin Azemi ka nënvizuar mungesën e profesionalizmit , kuadrit dhe lënien pas dore jashtë institucioneve, mërgatën shqiptare.

“Angazhimi i kuadrove politike është margjinave sociale , intelektuale, duke e lënë fatin tonë në duart e “halabakëve” që kanë kryer shkolla shpejtë e shpejtë nuk kanë njohuri, nuk kanë kredibilitet dhe ata behën më të dijshëm duke qenë fati ynë në duart e tyre, por kjo praktikë duhet të ndërpritet sa më shpejtë” ka thënë Azemi.

Sipas tij elitat politike formohen jo sipas meritave profesionale shkencore po sipas lojaliteteve të radhës.

Analisti, Alajadin Demiri me këtë rast ka theksuar si problem kryesor definimin e partive politike shqiptare si të privatizuara.

"Të gjitha partitë janë shterpe, janë të kontrolluara nga shërbimet. Ne na nevojitet një koncezus partiak shqiptar për të konsoliduar të drejtat e shqiptarëve në një territor të caktuar”, ka thënë ai.

Botuesi i gazetës “Koha”, Lirim Dullovi foli për nevojën e një platformë të re të domosdoshme politike, e cila do të fundos njëherë e përgjithmonë amullinë e krijuar dhe kaosin politik ,që udhëhiqet nga njerëz jokompetentë dhe pjesë të margjinalizuara shoqërore. Ai përmendi edhe funksionimin e mediave shqiptare dhe rolin e politikave shqiptare në raport me mediat, për të cilat krijohen vetëm se imazhe dhe fronte për eliminim.

Ai ka pasqyruar edhe gjendjen e mediave shqiptare në tregun e Maqedonisë, raporti i tyre dhe përfitimet e pabarabarta të fondeve të agjencive të marketingut, fushatave dhe projekteve qeveritare.

Kryeredaktori i agjencisë së lajmeve INA, Naser Pajaziti foli për krizën që po mbretëron në mediat shqiptare si dhe rreth mungesës së debatit, apo virtualizmit të krijuar rreth kësaj çështje. “Ne kemi debate të kontrolluara dhe me standarde të dyfishta, që kontrollohen dhe nuk janë frytëdhënëse dhe të dobishme për çështjet tona që janë të prekshme dhe që prekin sidomos shqiptarët. Nevoja e domosdoshme është që të nxitet një debat sa më i gjerë me protagonistë dhe njerëz të mediave që drejtpërdrejt njohin mentalitetet dhe funksionimin e realitetit politik dhe jo nga individë analistë, që deri dje ishin kreator dhe protagonistë të politikave qeveritare, dhe mund të themi mbajnë përgjegjësi për shkaqet dhe pasojat e sodit”, theksoi Pajaziti.

Xhelal Neziri, zëvendëskryeredaktor i gazetës “Koha e Re” gjithashtu ka shprehur shqetësimin për diskriminimin e mediave shqiptare dhe qartësimin e gjendjes së tyre, karshi politikave dhe fondeve qeveritare, por edhe skenareve të ndryshme, që tentojnë të ngulfasin zërin e arsyes së medias shqiptare, por edhe aspektet për të mbyllur ato.

Redaktori i televizionit “Tv Alb”, Bardhyl Zaimi theksoi se shqiptarët aktualisht janë rob ndaj maqedonasve që janë në cilësinë e sovranit. Kjo gjendje sipas tij është realitet që megjithatë kërkon ndryshime.

Kryetari i Komunitetit Shqiptaro –Amerikan, Xhevat Sherifi ka theksuar nevojën e bashkimit të subjekteve politike, pasi vetëm në atë mënyre do të mund të arrihet më lehtë në realizimin të drejtave të shqiptarëve dhe zgjidhjen e statusit të shqiptarëve. Në këtë debat folën edhe intelektualët Xhabir Ahmeti, Mevaip Abdiu-drejtuesi i TV Koha, Xheladin Murati, Mevaip Ramadani, Venera Latifi, Shaqir Islami dhe përfaqësues të tjerë të mediave.

Po ashtu, në këtë tubim u theksua se Marrëveshja e Ohrit duhet të rishqyrtohet ose të arrihet një marrëveshje tjetër shqiptaro-maqedone, meqë kjo e fundit nuk arriti që të definoj statusin real të shqiptarëve të Maqedonisë.

NOA-INA

KOMENTE