English

Berisha uron Presidenten Jahjaga: Kontributi i saj, në konsolidim të pavarësisë

Tiranë, 7 prill 2011, NOA- Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha pak më parë ka dhënë një mesazh për të uruar Presidenten e sapozgjedhur të Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në mesazhin e kreut të qeverisë thuhet: “Kam kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t’ju përcjell urimet më të ngrohta e vëllazërore për sukses në misionin e lartë e të rëndësishëm të Presidentes së Republikës që ju besoi Kuvendi i Kosovës. Unë kam besim të plotë se kontributi juaj do të jetë themelor në konsolidimin mëtejshëm të pavarësisë së Kosovës dhe në shndërrimin e saj në një faktor të rëndësishëm paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon”.

Më tej Kryeministri Berisha ka shprehur angazhimin e tij dhe të qeverisë shqiptare për forcimin më tej të marrëdhënieve të shkëlqyera vëllazërore mes të dy vendeve, për të shndërruar bashkëpunimin e ngushtë e të gjithanshëm në shembullin më të shkëlqyer të bashkëpunimit në rrugën e paqes dhe prosperitetit, jo vetëm të kombit shqiptar, por të të gjithë rajonit, si dhe për ecjen përpara në rrugën e përbashkët të integrimit euroatlantik.

Në fund të mesazhit ai është shprehur se dëshiron që Jahjaga të vizitojë sa më shpejt Shqipërinë.

Atifete Jahjaga ka siguruar 80 vota të ligjvënësve kosovarë, nga 100 që ishin prezent duke u zgjedhur e para Presidente femër në Kosovë.

Parlamenti i Kosovës i mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme, nisi votimet ku Jahjaga u propozua si kandidate e përbashkët e tre partive politike PDK-së, LDK-së dhe AKR-së.

Përballë saj ishte Suzanë Novobërdaliu e cila vjen nga radhët e partisë Aleanca Kosova e Re.

Ndërsa lëvizja “Vetëvendosje” i ka kundërshtuar këto kandidatura duke i cilësuar si një pazar politik, madje ka braktisur edhe sallën e punimeve.

a.y/NOA

KOMENTE