English

Do të luftojë për të mbrojtur çdo votë

“Partia Socialiste hyn nesër në një garë të pabarabartë, por e qartë se do të luftojë për të mbrojtur çdo votë, për të denoncuar çdo parregullsi në secilën votë, për të numëruar çdo votë, e gatshme të bëjë çdo lloj sakrificë e të ndërmarrë çdo lloj aksioni politik demokratik për të mbrojtur lirinë e votës së qytetarit”....

Nga Fatmir Xhafa

Sot është prologu i fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit 2011. Nesër nis beteja e madhe e qytetarit për të drejtën e votës së lirë. Për të mbërritur deri tek kutia e votës, Shqipëria është tërhequr zvarrë nga mungesa e vullnetit total politik të qeverisë për të garantuar zgjedhje të lira. Pothuaj dy vjet mbas 28 qershorit 2009, kriza politike është bërë edhe më e fortë dhe është shndërruar në embrionin e të gjitha krizave të tjera, krizës ekonomike, krizës së besimit, krizës së përfaqësimit, krizës së qeverisjes.

Fajtore për të gjithë këtë situatë është qeveria e zotit Berisha që mohoi transparencën e votimit të zgjedhjeve të shkuara dhe që nuk garanton transparencën e votimit të së ardhmes për ti dhënë përkohësisht imunitet politik e elektoral ristanëve të manipulimeve zgjedhore.

Këto janë të parat zgjedhje, në të cilat ne hyjmë pa asnjë reflektim ligjor ndaj problematikave të konstatuara në Raportin e ODIHR, si dhe ndaj rekomandimeve ligjore të tij.

Ky proces zgjedhor nis në kushtet e një gare tërësisht të pabarabartë mes palëve. Fushata zgjedhore fillon nesër me një KQZ që vepron, tani edhe haptazi, tërësisht në shkelje të hapur të ligjit, ku shumica militante e së cilës veç firmos dhe vulos shkresat e dërguara nga kabineti i kryeministrit. Dje ndodhi skandali më i fundit në radhë i kësaj shumice arbitrare. Në një seancë turpi, në prani të medias, të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, pa asnjë vetpërmbajtje, qoftë edhe formale, shumica e qeverisë në KQZ deformoi përmbajtjen e fletës së votimit për bashkinë e Tiranës. Kjo shumicë hoqi nga fleta e votimit, emrat e partive anëtare të koalicionit të opozitës "Aleanca për të Ardhmen" ndërsa i la në fletën e votimit partitë e koalicionit qeverisës!!!!!!!! Vendimi për miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për zgjedhjet për kryetar të bashkisë dhe për anëtarë të këshillit është marrë në shkelje të hapur dhe flagrante të ligjit duke shkelur edhe vendimin e vet KQZ të marrë përpara disa ditësh mbi modelin dhe formën e fletës së votimit. Deri këtu arriti jo veç shkelja e ligjit, por edhe paturpësia morale e Sali Berishës sa, për të deformuar pozicionin e opozitës dhe të PS në fletën e votimit, urdhëroj ushtarin e tij në KQZ të deformojë edhe vet gjuhën shqipe. Sali Berisha bëri dje vjedhjen e radhës. Vodhi fletën e votimit.

Me këtë vendim pjesa e KQZ-së e varur tërësisht nga qeveria, ka cenuar rëndë standardin e këtij procesi zgjedhor, si dhe ka cenuar rëndë interesat e ligjshme elektorale të opozitës. Vendimi i mazhorancës në KQZ tregon qartë cinizmin dhe tendeciozitetin e këtyre njerëzve. Mosshënimi në fletën e votimit i emrit të partive përbërëse të koalicionit të opozitës "Aleanca për të Ardhmen", kur ndërkohë kjo është bërë për koalicionin e qeverisë, është haptas në kundërshtim me nenin 98 të Kodit Zgjedhor.

Ky vendim, shumë i rrezikshëm për integritetin e procesit zgjedhor, është një shenjë tjetër e qartë edhe për ata që kanë iluzione për paanësinë dhe profesionalizmin e këtij institucioni, se angazhimi i tij (KQZ-së) është një dhe vetëm një - t'i shërbejë edhe haptazi interesave jo të ligjshme të qeverisë.

Arsye të mjaftueshme për të konsideruar se KQZ po e fut procesin në shina të rrezikshme për fatin e tij. Ne nuk mund të kemi asnjë lloj besimi te kjo KQZ dhe te i uluri në karrigen e kryetarit, të cilin e konsiderojmë veç një mashë në funksion të deformimit të rezultatit në favor të qeverisë. Ne nuk mund të respektojmë kurrsesi abuzuesit e pamoralshëm me ligjin.

Kjo lloj vendimmarrje i shërben destabilitetit të procesit zgjedhor, tensionimit të klimës zgjedhore dhe përbën një cenim të rëndë të standardeve zgjedhore, ç'ka mund të prodhojë edhe një rezultat të papranueshëm.

Ne i bëjmë thirrje opinionit publik dhe medias së pavarur të jenë të vëmendshëm ndaj akteve të tilla, i kërkojmë qeverisë të ndërpresë sa më shpejt këtë strategji deformimi e tensioni si dhe ju kërkojmë partnerëve ndërkombëtarë dhe veçanërisht OSBE/ODIHR-it të reagojnë në mënyrë të paanshme ndaj shkeljeve të tilla të ligjit që e fusin procesin në qorrsokak pa kthim. Nesër mund të jetë vërtetë vonë.

Në këtë pragfushate ne i bëjmë gjithashtu një apel të fortë Kolegjit Zgjedhor që të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin. Ne ju bëjmë thirrje gjyqtarëve të këtij kolegji që të reflektojnë shumë seriozisht në peshën e vendimmarrjes së tyre në respekt të ligjit duke u distancuar nga individë që e kanë shitur drejtësinë me favoret e ngritjes në detyrë dhe përfitimet familjare dhe mbi të cilët rëndon dhe do të rëndojë gjatë turpi i drejtësisë së mohuar për votën e lirë e për të cilën u sakrifikuan edhe jetë njerëzish.

Seicili do të përgjigjet një ditë për krimin zgjedhor në këtë vend. Kjo ditë nuk do të vonojë. Krimi i vjedhjes së votës nuk ka amnisti. As sot, as nesër, as kurrë !

Ne e konsiderojmë tejet të rëndësishëm rolin e pavarur të prokurorisë në hetimin e shkeljeve zgjedhore dhe u bëjmë thirrje prokurorëve në të gjitha rrethet gjyqësore që me pavarësinë që u jep kushtetuta dhe me përkushtimin ndaj ligjit të hetojnë me prioritet çdo rast denoncimi zgjedhor si një kontribut i çmuar në shërbim të së vërtetës, të parandalimit dhe të ndëshkimit të manipulatorëve të procesit.

Ne e vlerësojmë prezencën e shtuar të misionit të vëzhguesve të ODIHR. E konsiderojmë shenjë pozitive përfshirjen në këtë mision të disa prej emrave të njohur ndërkombëtarisht për ekspertizën e tyre ligjore. Dëshirojmë të besojmë fort në paanësinë e tyre, në respekt të vlerave që mbartin dhe të standardeve që përfaqësojnë, duke shpresuar që opinionet dhe vlerësimet e tyre të mos u nënshtrohen presioneve të interesave të lobuara ashtu sikurse ndodhi në një masë të konsiderueshme me vlerësimet e misionit të vëzhguesve afatgjatë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Shqipëria meriton të njëjtin standard sjelljeje si çdo vend tjetër normal në Evropën e vlerave. Vetëm standardet demokratike mund të garantojnë stabilitet demokratik.

Partia Socialiste hyn nesër në një garë të pabarabartë, por e qartë se do të luftojë për të mbrojtur çdo votë, për të denoncuar çdo parregullsi në secilën votë, për të numëruar çdo votë, e gatshme të bëjë çdo lloj sakrificë e të ndërmarrë çdo lloj aksioni politik demokratik për të mbrojtur lirinë e votës së qytetarit.

Partia Socialiste hyn në këtë garë si një triumfuese morale, si në hapin e parë drejt kthimit të legjitimitetit politik në vend. Opozita e bashkuar dhe Partia Socialiste do të shpallet triumfuese. Do të triumfojë vullneti i qytetarit, të cilin kjo qeveri ilegjitime e konsideron të fundit.

Kjo është e vetmja rrugë. Kjo është rruga e vetme që do ta çojë vendin në Evropën e lirisë dhe të vlerave. Ky është momenti. Nesër do të jetë vonë !

*Deklarata e Sekretarit për Çështjet Ligjore dhe Koordinimin në PS, Fatmir Xhafa

NOA

KOMENTE