English

Rama në Lezhë: Vota është e vetmja armë për të marrë hak ndaj pushtetit

Lezhë, 9 prill 2011, NOA- Gjatë mbrëmjes së djeshme kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është ndalur në qytetin e Lezhës ku ka prezantuar kandidatin për bashkinë e këtij qyteti, Gjok Jaku.

Më tej ai ka prezantuar edhe kandidatët e koalicionit “Aleancë për të ardhmen”, që do të garojnë në 21 njësitë vendore të Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit.

Gjatë fjalës së tij ai është shprehur se, katër vite më parë iu hapë rrugë Ilir Metës për një kandidat të tij në Lezhë, por që pa mbështetjen e Gjok Jakut nuk do ta fitonte.

“Gjok Jaku bëri atë që nuk është çudi në rast se e njeh historinë dhe fisnikërinë e tij. Ai jo vetëm që nuk shprehu asnjë pakënaqësi por përkundrazi e mori për dorë atë kryetarin e sotëm të bashkisë dhe kërkoi votën për atë, që sot thotë punojmë së bashku, vendosim së bashku. E vërteta është që Viktori punon vetëm për vete dhe Viktori nuk vendos asgjë, se për të vendos Iliri dhe Saliu me bllokun në dorë”, u shpreh kryesocialisti Rama.

Nga ky qytet ai u bëri thirrje lezhianëve që ti japin opozitës një mundësi të plotë për ti kthyer kusurin si socialist dhe demokratë, si qytetarë të ndershëm dhe të thjeshtë të Lezhës edhe Saliut të pozitës edhe Ilirit të depozitës.

Ndër të tjera Rama tha se, “Vota është e vetmja armë që keni për të marrë hak si qytetarë evropian për plumbat e 21 janarit. Për të marrë hak për ata që u vranë dhe vazhdojnë të vriten në trup, në zemër, në ëndrra dhe në shpresa nga ky regjim kusarësh dhe matrapazësh që nuk ka lidhje fare as me flamurin e PD. Flamurin e idealeve që e nxorën dhe Gjok Jakun 20 vjet më parë, bashkë me mua e më shumë të tjerë, në rrugën e lirisë e demokracisë. As me flamurin kuq e zi të Skënderbeut, të Ismail Qemalit e të heronjve të luftës e të punës”.

a.y/NOA

KOMENTE