English

A do të ketë një “Iniciativë për Vlorën”?!

Nga Gëzim Llojdia*

Pas Tiranës, vjen pikërisht Vlora në aspektin elektoral, ajo që kërkon të ngrejë një tryezë me intelektualët, ashtu si e në kryeqytet me emrin “Iniciativa për Vlorën”.

Madje, “Iniciativa për Vlorën” është më emergjente sepse kryeqyteti ynë ndërsa ka parë edhe konkurse ndërkombëtare, kurse qyteti jugor që ka qenë edhe seli e parë e shtetit të vitit ‘12 , fatkeqësisht nuk ka njohur ndonjëherë konkurs ndërkombëtar për planet e zhvillimit të tij, sidomos për zonën muzeale.

Përse duhet “Iniciativa për Vlorën”

1- Sheshi historik

Qendra historike e qytetit historik dhe turistik të Vlorës është sheshi i njohur i Flamurit. Vendi ku një grup historianësh i mbeten stoik argumenteve se këtu është ngritur flamuri në ditën e bekuar shqiptare, një ditë vjeshte të fundit, në nëntorin e dytë pas atij të Skënderbeut, që i përket vitit 1912. Qendra historike brenda saj ka disa monumente ,disa vepra që i përkasin kohës. Mjegullinat e historisë nuk na e kanë larguar dot historinë e këtij vendi, me emërtimin e tij të pazakontë ”Sheshi i Flamurit”. Sheshi i Flamurit është një shesh i madh në dimensione, por që ka filluar zvogëlimin pas privatizimit të ish-hotelit turizmit të ri, që nuk u bë kurrë. Qendra historike është “kafshuar” nga pak e përditë. Ishin vitet e një kohe tjetër, kur në këtë shesh historik u mor vendimi dhe brenda tij nisën punimet e ndërtimit të një 10-katëshi, për një hotel-turizmi të ri. Ndonëse nuk është regjistruar si kohë e ndërtimit, është prezenca e tij, në qendër të sheshit historik të qytetit. Një gërmadhë me moshë 16-vjeçare, që bëri “hije” me 10 katet e tij ndërsa ka lënë në shesh gjithë katrahurën. Cili do të jetë dimensioni i ardhshëm i sheshit të Flamurit? Fare pranë këtij sheshi që ende ka ngjyrë gri do të mund të kishte në shesh pllaka me ngjyre të kuqe dhe të ndalohej qarkullimi i makinave do të kërkonte më parë se të bëheshin riparime të vogla një konkurs ndërkombëtar për kthimin e tij vërtete në një gjendje konservuese. Si dhe me ambientet përreth.

2- Shtëpia muze e Vlorajve

Shtëpia e Vlorajve, ajo që ka mbetur nga koha, është vetëm 10 m nga sheshi historik i flamurit dhe është pjesë e kompleksit muzeal historik. Shtëpia e Vlorajve që së fundi njihet si shtëpia e Beut, nuk është në funksionimin e saj dhe e lidhur me kompleksin muzeal, ndonëse ajo është pjesë e saj. Pas marrjes së saj nga pasardhësit e kësaj familje, godina ka parë rikonstruksione, por në vetvete i ka munguar qëllimi. Brenda saj nuk ka një muze të kësaj familje të shquar. Interesi i shtetit shqiptar dhe kryesisht i MTKRS do të ishte që kjo ndërtesë të kthehej në një muze për Vlorajt. Fotografi vlonjate dhe studiuesi i historisë Qerim Vrioni, 3 vite më parë hapi një ekspozitë me foto të rralla. Ndërtesa dy kate ka shërbyer më së shumti si lokal kur koha është që ajo të ketë një funksion tjetër, jo vetëm atë të banimit. Muzeu i Vlorajve do të përbente pjesën më të respektuar të burrave të kësaj familje të shquar. Ajo do të vizitohej sepse është më pranë kompleksit si dhe do të kishte më tepër akses për turistët e vizitorë të cilët do të shikojnë njëherësh monumentin e pavarësisë, varrin e Ismail Qemalit dhe muzeun e Vlorajve.

Konceptimi nga arkitektet vendas apo të huaj do të kërkonte një konkurs, një fond qeveritar si dhe angazhimin e një grupi historianësh dhe studiuesish për ta bërë këtë kompleksë muzeal ndër më të mirët dhe të vizitueshmit në vend. Ky kompleks në fakt përbëhet nga disa vepra. Sheshi i Flamurit me monumentin e tij ende nuk kanë atë pamje dhe formë që duhet të kenë objektet muzeale si në të gjithë botën. Sheshi i Flamurit ka edhe godinën e bankës, rrugën “Justin Godart, sahatin, godinën e bashkisë, rrugën e hebrenjve etj, pra kjo zonë do të ishte “Meka e turistëve”, ndërsa në fakt gjithçka funksionon si më 50 vjet më parë “Secili në punë të vet, Zoti për të gjithë”.

Prandaj mundësia, që të rikthehet ky shesh në një pozicionim të qartë, mund të bëhet vetëm me një konkurrim ndërkombëtar. Vetëm nja 6 muaj më parë u mblodhën historianët e këtij qyteti dhe vendosën të kundërtat e gjerave. Ata u morën jo me historinë e viti’ 12, por me vitin ‘13. Menduan se çfarë të bëjnë tek Muzeu kombëtar i pavarësisë që ka qenë godina e qeverisë .

Në fakt gjërat nuk nisën nga fundi, por prej kreu. Është sheshi i Flamurit, ai që kërkon një rikonceptim dhe një harmonizim të mirë të objekteve muzeale ndërmjet njëra-tjetrës dhe mes tyre.

Janë kaq shumë objekte muzeale, që kërkojnë të vihen në funksionim dhe jo të mbeten secila me nga një drejtor të vetën. Madje edhe ndërsa në Skelë aktualisht Muzeu kombëtar duhet të marri në zotërim të tij edhe këto objekte si shtëpia e Vlorajve ,varri i I.Qemalit A nuk do të ishte më e efektshme të bëheshin këto sesa të ndërtohej një stadium futbolli në Tiranë, për 100-vjetorin e Pavarësisë?

Një vërejtje tjetër do të ishte, që hoteli, që do ndërtohet përballë sheshi të Flamurit të kishte formën e flamurit shqiptar. Ky do të ishte atraksioni më i bukur dhe ende është në kohë, që intelektualët në “Iniciativën për Vlorën” ta kërkojnë këtë gjë, përpara se gjërat të betohen.

Monumentet e trashëguara dhe ato të krijuara

Objektet që paraqesin kompleksin muzeal si sheshi i Flamurit, varri i I.Qemalit, shtëpia e Vlorajve, rruga Justin Godart etj janë ndërtesa dhe objektet të ndërtuara shumë herët. Varri i I.Qemalit është origjinal dhe i përket vitit ,kur poeti dhe kryetari i bashkisë së asaj kohe Ali Asllani i ktheu eshtrat nga Kanina në lulishten e Vlorajve. Aty është edhe skulptura e Odise Paskalit.

Në këtë kompleks, është ndërtuar Monumenti i Pavarësisë një masiv bronzi. Ka një lartësi 17 metra. Ngrihet në sheshin e Flamurit. Është një vepër artistësh, ndërtuar në kohën e monizmit .Monumenti është përuruar në vjeshtën e vitit 1972 në përvjetorin e 60 të shpalljes së Pavarësisë. Kjo vepër në bronz ka autorësinë e katër skulptorëve shqiptar: Muntaz Dhrami, Shaban Hadëri, Kristaq Rama, Hektor Dule.

Kjo vepër shkon me sheshin ndërsa mungon lidhja e saj me objektet tjera muzeale. Ka edhe një vërejtje thelbësore. Këtu nuk ka një guitë se çfarë duhet të vizitosh. Kur vizita duhet të fillonte nga sheshi i flamurit,varri i I.Qemalit, shtëpia e Vlorajve, rruga Justin Godart, godina e bashkisë në kohën e Ali Asllanit,sahati ,dhe në fund muzeu kombëtar i pavarësisë në Skelë. Atëherë, turistët bëjnë vetëm nga një foto tek monumenti dhe vizita këtu mbyllet.

MTKRS duhet të marri në zotërim edhe dy objektet e tjera varri i I.Qemalit dhe shtëpia e Vlorajve e cila u është kthyer pronarëve mirëpo në guidë duhet futur tash vetëm pamja e saj e jashtme. Të mbetet kohë për tu kthyer në muzeun e Vlorajve. Të hapet dritësimi për tu bërë muze i Vlorajve ndërsa do të mund të ketë konkurs për të jetizuar kompleksin tashmë në një gjendje gjysmë funksionale.

Në 100 vjetorin e Pavarësisë, Vlorës i duhet të debatojë se çfarë duhet të bëjë. Një debat ku u mblodhën historianët e partive sollën” qiqra në hell”, por çuditërisht nuk thanë asgjë dhe nuk sugjeruan aspak për kompleksin muzeal në sheshin e Flamurit ku janë mjaftë objektet të rëndësishme që janë paraqesin historinë siç ka qenë. Kjo zonë meriton jo vetëm vëmendjen e kandidatëve por edhe fondet përkatëse për t’u rikthyer shpejt në një kantier pune që nëntori i vitit 2012 ta gjejë një kompleks origjinal që tregon fytyrën e historike të qytetit. Pjesa e dytë e këtij kompleksi le të jetë në Skelë aty ku u prit I.Qemali, ndërsa kërkon vëmendje të madhe asurimi i Muzeut kombëtar të Pavarësisë me dokumente të reja të pa ekspozuara më parë.

Mirëpo jemi në vakt për të pyetur: A do të ketë ndonjë ”Iniciativë për Vlorën” nga kandidatët që duan karrige kryebashkiaku për të qeverisur në qytetin e Flamurit?

* Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

KOMENTE