English

Dokle: Askush nuk do të godasë simpatizantët e PS

Tiranë, 11 prill, NOA – Pas padisë që Drejtori i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Shemsi Premçi bëri ndaj zëvendësministrit të Brendshëm, Avenir Peka, për urdhër të paligjshëm pwr ndërhyrjen e forcave speciale në Bathore, Partia Socialiste ka kërkuar dorëheqjen e përfaqësuesit të Ministrisë së Brendshme.

Në një deklaratë për mediat, deputeti i PS, Namik Dokle u shpreh se zyrtarët duhet të zbatojnë ligjin.

“Një deklaratë tronditëse e kreut të FNSH Shemsi Premçi u dha flesh nga mediat e pavarura. Ai bëri kallëzim penal në Prokurori ndaj zv/ministrit të brendshëm Avenir Peka për urdhrin e tij të paligjshëm dhe antikushtetues “për të shtypur militantët e PS në Bathore”, tha Dokle.

Ai ka theksuar se punonjësit e policisë po tregohen në nivelin e tyre, por janë drejtuesit politikë ata që po keqpërdorin misionin e forcave të rendit.

“Duke përkrahur dhe mbështetur cilindo punonjës të rendit që zbaton me korrektësi ligjin dhe kushtetutën, Partia Socialiste njëherësh denoncon dhe dënon me indinjatë dhe përkushtim ligjor të gjithë ata që kërcënojnë, organizojnë dhe urdhërojnë veprime policore dhe jo policore të kundraligjshme. Ky zv/ministër që guxon të dalë mbi ligjin urgjentisht duhet të japë dorëheqjen apo të shkarkohet nga detyra”, tha sot Dokle.

Nga ana tjetër ai i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha që të të mos ushtroj presion mbi socialistët. “Paralajmërojmë Sali Berishën të mbajë larg nga vota e lirë e popullit pekat dhe purtekat e tij, bashat dhe mashat, ponet dhe alkaponet. Askush nuk do të mundet më të shtypë militantët e PS as në Bathore dhe asgjëkund tjetër. Askush nuk do të mundet më të prekë dhe të vjedhë votat e shqiptarëve. Askush nuk do të mundet më të manipulojë zgjedhjet e lira”, tha sot Dokle.

a.k/NOA

KOMENTE