English

Topi nuk firmos ligjin për akcizat

Tiranë, 13 prill, NOA – Presidenti i vendit, Bamir Topi ka vendosur të mos dekretojë ligjin e miratuar disa javë më parë nga Kuvendi “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”.

Në argumentimin e kthimit të ligjit, kreu i shtetit vlerëson se kuy ligj bie ndesh me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimi dhe konkretisht në kuadrin që bën fjalë për tarifat doganore.

“Ky rregullim, sipas vlerësimit tim, bie ndesh me ligji nr. 9590, datë 27.7.2006 “Për ratifikimin e “Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Europiane e shteteve të tyre anëtare”. Konkretisht, neni 33 i Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit ndër të tjera parashikon se “që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, nuk vendosen detyrime doganore të reja për importet ose eksportet, ose tarifa të reja me efekt të njëjtë me to, dhe nuk rriten as ato që zbatohen tashmë në tregtinë ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë. Në vetvete ky ligj ndryshon tarifat e përcaktuara para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, marrëveshje e cila në hierarkinë e normave ligjore vjen pas Kushtetutës”, thuhet në argumentimin juridik të Presidentit.

Kreu i shtetit vlerëson se vendosja e këtij rregullimi të ri ligjor, prish parimin e një sistemi ekonomik të bazuar në ekonominë e tregut, sanksionuar kjo dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe passjell një trajtim diskriminues për prodhuesit vendas.

“Me ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit, vendi ynë ka marrë përsipër jo vetëm angazhimin për rritjen e lirive politike e ekonomike që janë bazat themelore të kësaj marrëveshjeje, por edhe angazhimin ndaj parimeve të ekonomisë së tregut të lirë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Nga ana tjetër kreu i shtetit vlerëson se, ndryshimet e shpejta në ligjin e paraqitur për shpallje, vijnë si pasojë e hyrjes në fuqi të kontratës së koncesionit, për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, kontratë e cila kërkon implementimit e disa ndryshimeve të kuadrit ligjor ekzistues, brenda një afati shumë të shkurtër kohor, përfshirë këtu edhe ligjin për akcizat. Ndryshimet e shpejta, përveçse nuk sjellin pritshmërinë e dëshirueshme, mund të shkaktojnë një efekt tërësisht të kundërt.

“Ligje të këtij karakteri janë ligje me pasoja të ndjeshme, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në krijimin e një klime, të favorshme apo jo, për zhvillimin dhe nxitjen e ekonomisë së tregut. Ky ligj, përveçse shton koston e prodhimit të industrisë vendase, mund të sjell dhe një tjetër efekt negativ në lidhje me të punësuarit pranë kësaj industrie, e cila mund t’iu shkaktoj këtyre të fundit, humbjen e vendit të punës”, thuhet në sqarimin e presidencës për mos dekretimin e ligjit.

a.k.NOA

KOMENTE