English

UISH: Reforma në shëndetësi, nuk realizohet pa reformimin e kujdesit infermierior

Tiranë, 13 prill, NOA - Urdhri i Infermierit të Shqipërisë përshëndet dhe mbështet projektin e reformës në shëndetësi, e lançuar me mbështetjen e USAID-it, duke theksuar se ky projekt duhet të jetë gjithëpërfshirës, ku brenda tij të mos harrohen infermierët si pjesë e rëndësishme e kujdesit shëndetësor.

Sipas presidentit të UISH-së, Sabri Skënderi, pa vlerësuar infermierët dhe pa reformuar e përmirësuar cilësinë e kujdesit infermierior, nuk mund të ketë një reformë të plotë dhe të suksesshme në shëndetësi.

“Urdhri i Infermierit të Shqipërisë mendon që kjo reformë të bëhet duke filluar së pari nga legjislacioni për kujdesin shëndetësor, nga reformimi i institucioneve shëndetësore, në të gjithë vendin.

Por edhe nga zbatimi i ligjeve ekzistuese, statuteve, rregulloreve të brendshme, për të gjitha institucionet dhe shërbimet shëndetësore në Shqipëri.

Pse jo, edhe nga zbatimi i detyrimeve për çdo profesionist. Si gjithmonë, ne vuajmë nga moszbatimi me përpikëri i ligjeve dhe rregullave, e statuteve në institucioneve”, pohon Skënderi.

Duke shtuar se Urdhri i Infermierit të Shqipërisë është i mendimit se duhet realisht për strukturat përkatëse, që të ndjekin dhe zbatojnë me korrektësi këto rregulla, por edhe të gjitha detyrat që përcakton ligji nga administrata e institucioneve, nga drejtuesit dhe nga gjithë personeli shëndetësor në tërësi.

“Vlerësim i rëndësishëm duhet bërë ashtu siç e tha edhe Kryeministri para pak ditësh për reformën në shëndetësi, për menaxhimin e institucioneve, dhe të gjitha shërbimet shëndetësore. Për këtë, duhet menduar për përgatitje të posaçme menaxheriale në kujdeset shëndetësore. Duhet kualifikim dhe trajnim i posaçëm si menaxherë të shërbimeve shëndetësore”, përfundon Skënderi.

n.e/NOA

KOMENTE