English

Berisha: Në fund të muajit fillon rindërtimi i rrugës Lushnje-Berat

Berat, 16 Prill 2011 NOA - Në fund të muajit prill fillon ndërtimi i segmentit të parë e më të rëndësishëm të Boshtit të Jugut Tiranë-Elbasan prej 430 milion dollarë, rindërtimi i rrugës Lushnje-Berat.

Këtë pohim e bëri sonte nga Berati, kryeministri Sali Berisha gjatë një mitingu elektoral. Berisha përshëndeti tubimin me qytetarë të Beratit, ku u prezantua kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar bashkie të këtij qyteti Ilir Deçolli.

Kryeministri shprehu mbështetjen për çdo projekt zhvillimor për qytetin e Beratit dhe qarkun e Beratit.

“Na përket neve tani, të rindërtojmë e ndërtojmë këtë qytet në parametrat më modern, na përket neve ta shndërrojmë Beratin në një nga polet më të fuqishme turistike të Shqipërisë, në një nga qendrat më të fuqishme të prodhimit industrial e bujqësor, në një qendër të fuqishme të jetës akademike të vendit”, - tha Berisha.

Shefi i qeverisë lajmëroi se ka përfunduar projekti i segmentit Berat-Tepelenë, 32 kilometra me 320 milion dollarë dhe se ndërkohë pop vazhdon ndërtimi i segmentit Belsh-Berat.

Kurse evidentoi se gjatë 4 viteve, në këtë qark janë ndërtuar e rindërtuar 45 shkolla, janë ndërtuar 18 sisteme ujësjellës-kanalizimesh dhe po investohen për furnizimin me 24 ujë të Beratit, Kuçovës e Urës Vajgurore 4 milion euro të tjera.

Para të pranishmëve Berisha kujtoi edhe se janë investuar mbi 24 milion euro, për përmirësimin e furnizimit me energji.

Kurse theksoi se qeveria ka subvencionuar 2000 hektarë, nga të cilat 1600 ullishte dhe për mbjelljen e drurëve frutorë dhe kanë përfituar nga kjo 5900 fermerë.

e.t/NOA

KOMENTE