English

“Tirana qyteti im”, si për tropojanët edhe për himarjotët

Tiranë, 16 prill 2011, NOA – Në Tiranën ku tropojanët dhe himarjotët, ku tiranasit e vjetër dhe tiranasit e rinj, ku ata që kanë ardhur nga veriu dhe jugu janë krenarë të thonë ‘Tirana është qyteti im’....

Nga Edi Rama

Të gjithë jemi dëshmitarë për një transformim rrënjësor që i jep mundësi të gjitha familjeve të zakonshme kryeqytetase që jetojnë këtu në Laprakë, familjet e Laprakës së vjetër, familjeve të reja, familjeve që kanë ardhur nga zona të ndryshe që të ndjehen banorë të Tiranës në të gjitha drejtimet. Bashkia e kryeqytetit tashmë e ka integruar Laprakën me rrugën, ndriçimin, gjelbërimit dhe e ka bërë përmes transportit tërësisht të rinovuar një çështje minutash largësinë mes Laprakës dhe qendrës së kryeqytetit.

Nga ana tjetër investimet tona po e kthejnë Laprakën në një nga qendrat dytësore të qytetit tonë. Mjafton të shohësh rrugën që shkon për në Spitalin Ushtarak për të parë jo vetëm çfarë ne kemi bërë në Laprakë, por edhe çka është modeli ynë i europianizimit, i zhvillimit, i transformimit të çdo hapësire banimi, të çdo hapësire publike në kryeqytetin tonë. Në Tiranën ku tropojanët dhe himarjotët, ku tiranasit e vjetër dhe tiranasit e rinj, ku ata që kanë ardhur nga veriu dhe jugu janë krenarë të thonë ‘Tirana është qyteti im’.

Çdo bebe që lind në Laprakë, ashtu si çdo bebe që lind në Tiranën që është sot vendi ku gjithkush është krenar të thotë ky është qyteti im, merr çekun e bebes si shenjën e parë të mirëseardhjes të çdo qytetari të ri në këtë qytet, ku jemi gjithmonë e më shumë bashkëqytetar. Ku jemi gjithmonë e më shumë qytetarë të Tiranës evropiane, ku jemi gjithmonë e më shumë pjesë e një historie të jashtëzakonshme që po e shkruajmë së bashku me punë, punë, punë.

Çdo nxënës i shkëlqyer në Laprakë, ashtu si dhe në gjithë Tiranën, merr bursën e ekselencës së Bashkisë së Tiranës. E pra është një tjetër shenjë e qartë e një politike tërësisht të re dhe e një politike tërësisht evropiane dhe europianizuese, që nuk i ndan njerëzit në tanët dhe në të atyre. Nuk i ndan qytetarët në blu dhe në rozë. Nuk i ndan familjet e thjeshta të kryeqytetit në familje që janë me ne dhe në familje kundër nesh, por i bashkon që të gjithë bashkë nën flamurin e interesave publike, nën flamurin e një interesi të madh e të përbashkët, që është të ndërtojmë këtu, në kryeqytetin e vendit, modelin e të ardhmes. Modelin e zhvillimit, modelin e një Shqipërie tjetër. Ku çdo shqiptar pavarësisht sesi quhet, pavarësisht se nga vjen, pavarësisht se ku beson, pavarësisht se kë zgjedh të jetë njësoj i respektuar nën flamurin kuq e zi të Skënderbeut, Ismail Qemalit, heronjve të luftës dhe në liritë dhe të drejtat që i jep Kushtetuta e vendit tonë.

Sot në Laprakë qoftë familjet që kanë qenë këtu, qoftë familjet që kanë ardhur këtu i çojnë fëmijët në shkolla të rindërtuara ose në shkolla të ndërtuara nga e para, që nga Lapraka e vjetër deri në zonat e reja. E pra kjo është një tjetër pjesë e zhvillimit. Është një tjetër shprehje e vetëdijes sonë se në radhë të parë duhet dhe do të vazhdojmë të investojmë fuqishëm edhe më fuqishëm për ata që do të jenë bashkëqytetarët e së nesërmes. Për ata që do të jenë qytetarë të barabartë në një Europë të qytetarisë, ku Shqipëria do të jetë pjesë po ku shqiptarët nuk duhet të jenë qytetarë të dorës së dytë.

Të gjitha këto e të tjera përfshirë transformimet e rrugëve, përfshirë transformimet e blloqeve të banimit, përfshirë transformimet cilësore të hapësirës publike, përfshirë pemët e shumta të mbjella që nga rrugët që lidhin qendrën e kryeqytetit me Laprakën deri tek rrugët parësore e dytësore të Laprakës, janë rezultat i një kontributi të drejtpërdrejtë të familjeve të zakonshme kryeqytetase, e biznesit kryeqytetas.

Unë dëshiroj ta vë theksin tek ky fakt, sepse është e jashtëzakonshme dhe është njëkohësisht jashtëzakonisht e rëndësishme se çka kemi bërë, bëjmë e do të bëjmë për Tiranën është frut i një kontributi të përbashkët. Është frut i një pune të përbashkët, është frut i një rruge të përbashkët.

E në këtë rrugë të përbashkët çdo familje e zakonshme kryeqytetase paguan vetëm 5500 lekë të vjetra në muaj. Vetëm 5500 lekë për rrugët, për çerdhet, për kopshtet, për shkollat. Vetëm 5500 lekë të vjetra në muaj për pemët që shtohen e hijeshojnë duke rritur dhe cilësinë e të bashkëjetuarit tonë në hapësirë publike. Vetëm 5500 lekë të vjetra në muaj për të gjitha ato që kemi bërë e ato që do të bëjmë në vijim. Ndërkohë që nga ana tjetër ata që përfaqësojnë një rrugë, një model, një vizion dhe një qasje tërësisht të ndryshme nga e jona, u thonë qytetarëve se janë të mbingarkuar nga taksat e bashkisë.

Po kush është e vërteta? E vërteta është se nëse një familje e zakonshme tiranase, kryeqytetase i paguan bashkisë 5500 lekë të vjetra në muaj për gjithë këto shërbime, për të mbajtur pastër përditë Tiranën tonë dhe për gjithçka ne investojmë, vetëm tek buka nëpërmjet TVSH-së së fshehur tek çmimi i bukës qeveria i merr një familjeje kryeqytetase më shumë se ç’i merr bashkia në muaj për të gjitha këto shërbime.

Ndërkohë që e gjitha ajo që qeveria merr në një muaj është 15 herë më shumë sesa ajo që bashkia merr dhe ia kthen qytetarëve në shërbime nga mëngjesi deri në mëngjesin tjetër.

Merreni me mend edhe ai Televizioni Shtetëror, ekrani më i shëmtuar i dezinformimit të përditshëm të qytetarëve, shprehja më e shëmtuar e një propagande të vjetër, e një propagande të ulët, e një propagande brutale kundër interesave të qytetarëve, i merr çdo familjeje nga xhepi më shumë sesa taksa e përmuajshme, 5500 lekë të vjetra në muaj, që familjet i paguajnë bashkisë për gjithë shërbimet.

Ky është dallimi i madh, shumë qartazi dhe dallimi nga rruga e tyre dhe rruga jonë.

Rruga jonë është rruga e bashkëpunimit me çdo qytetarë e qytetare. Është rruga e shtrirjes së dorës së një pune të përbashkët, të një solidariteti të domosdoshëm, të një mirësie dhe një njerzillëku që karakterizon të gjithë procesin tonë qeverisës. Ndërsa rruga e tyre është rruga e shpifjeve kuturu dhe e abuzimeve të përditshme me çdo shpenzim të parave të marra nga qytetarët.

Shikojeni se ç’ ndodh me biznesin e vogël të kryeqytetit, një nga kontributorët kryesor të transformimit, një nga elementët më të rëndësishëm të gjithë këtij ndryshimi të madh që ne kemi sjellë në Tiranë. Ndërkohë që biznesi i vogël i paguan bashkisë vetëm dy taksa, taksën e biznesit të vogël dhe tarifën e pastrimit, vetëm për mirëmbajtjen e kasës fiskale, që u imponua ashtu siç u imponua, për arsye tërësisht abuzive është 25% më shumë në vit sesa e gjithë tarifa e pastrimit brenda një viti.

Pra për të pastruar kryeqytetin duhet më pak lekë sesa për të mirëmbajtur kasën fiskale. Kjo është Shqipëria e Saliut dhe e gjithë salinjëve të tjerë që vijnë vërdallë nëpër qytetet dhe komunat për të kërkuar votën dhe flasin për alternativa.

*Një pjesë e fjalës së kryetarit të PS-së, Edi Rama në njësinë 11

KOMENTE