Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Berisha: Përjetësia e kombit tonë buron nga besimi
English

Berisha: Përjetësia e kombit tonë buron nga besimi

Tiranë, 17 prill 2011, NOA- (Update) Kryeministri i vendit Sali Berisha gjatë paradites së sotme ishte i pranishëm në aktivitetin e Komunitetit Mysliman “Profeti Muhamed- Krenaria e Njerëzimit”, i organizuar me rastin e lindjes së Profetit Muhamed.

Gjatë fjalës së tij me këtë rast kreu i qeverisë u shpreh se, përjetësia e kombit tonë qëndron pikërisht tek besimi.

Më tej ai tha se, “Sot jemi të lirë lavdi Zotit, të lirë dhe të vendosur të respektojmë si të shenjta dhe të pa prekshme, liritë tona, liritë e qytetarëve shqiptarë. Jemi të lirë dhe të vendosur që në kuadrin e NATO-s, të ndihmojmë çdo komb të shtypur kudo që ndodhet dhe NATO-ja vendos të ndërmarrë operacione lirie për të”.

Sipas tij shqiptarët ndonëse janë një komb i vogël ata krahasohen me të mëdhenjtë pikërisht nga besimi tek Zoti dhe toleranca fetare.

Kryeministri Berisha vijoi duke thënë se kultivimi i fesë këto 20 vite përbën një nga mesazhet më të mëdha njerëzore, për lirinë e kombit shqiptar.

Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha:

Hirësia juaj Haxhi Selim Muça, Kryetar i Komunitetit Mysliman në Shqipëri.

Të nderuar klerikë të të gjitha besimeve fetare.

Shkëlqesi ambasadorë.

Të dashur besimtare dhe besimtarë myslimanë, por edhe të të gjitha besimeve. Sot jemi në këtë sallë për të nderuar një nga datat më të mëdha, më të ndritura në historinë e njerëzimit, ditëlindjen e Profetit Muhamed, Profetit të dritës, Profetit të lirisë, Profetit të barazisë.

Më keni bërë nder të madh që më keni ftuar në këtë ditë, ta festojmë së bashku me ju dhe t’ju uroj ju, gëzuar këtë ditë të madhe, ju të gjithë besimtarëve mysliman shqiptarë, por edhe të gjithë besimtarëve të zotit , ditën e lindjes së Profetit Muhamed, mesazherit të madh , por dhe skllavit të përvuajtur të të gjithë fuqishmit, Zotit.

Sot ne nderojmë këtë ditë, të bindur se rruga që ndjekim është rruga e dritës, që çeli Profeti Muhamed me mësimet e Zotit, që përcolli tek njeriu dhe njerëzimi. Një nga mësimet më themelore të Profetit ishte drita, arsimi, shkollimi. “Boja e fëmijëve të shkrimit në shkollë është më e shenjtë se gjaku i martirëve” do të mësonte Profeti.

Ndaj dhe sot ne ndihemi se çdo familje shqiptare, qeveria shqiptare po bën gjithçka për shkollimin sa më të mirë sa më dinjitoz të fëmijëve të vet. Kam kënaqësinë e veçantë, që pas një sistemi të tërë medresesh, pak ditë më parë ne inauguruam universitetin e parë islamik të botës shqiptare dhe unë dua t’ju garantoj ju, dua të garantoj të gjithë udhëheqësit e besimeve fetare shqiptare se qeveria, do të bëjë gjithçka për të mbështetur misionin e tyre të madh, rindërtimin e vlerave shpirtërore të kombit shqiptarë dhe kjo mbështetje do të vijë çdo vit në rritje.

Profeti që ne nderojmë sot ishte Profeti i lirisë, “të ndihmojmë të shtypurit mysliman dhe jo mysliman” ishte porosia e tij për të gjithë vdekësorët, për të gjithë qeniet njerëzore. Sot jemi të lirë lavdi Zotit, të lirë dhe të vendosur të respektojmë si të shenjta dhe të pa prekshme, liritë tona, liritë e qytetarëve shqiptarë. Jemi të lirë dhe të vendosur që në kuadrin e NATO-s, të ndihmojmë çdo komb të shtypur kudo që ndodhet dhe NATO-ja vendos të ndërmarrë operacione lirie për të.

Profeti ishte, Profeti i barazisë njerëzore. “Çdo e mirë që bën për vajzën do të të bëhet perde për tu mbrojtur nga zjarri i xhehenemit” do të mësonte ai besimtarët e tij, dhe ketë nuk e thotë për djalin, por e thotë për vajzën.

Bazuar në këtë mësim të shenjtë dhe të madh të gjithë së bashku me përkushtim duhet

të luftojmë për ta bërë më të drejtë, më të barabartë shoqërinë shqiptare. Të dashur qytetarë dhe qytetare të pranishëm në të sallë dhe kudo që jeni.

Si shqiptarë sa herë i shtrojmë pyetjen vetes sonë çfarë kemi ne në shpirt më të vyer, më të çmuar, më të arrirë? Një mijë herë vetëm një përgjigje të vjen, toleranca fetare, e cila buron tek besimi i palëkundur tek Zoti. Ne nuk kemi qenë një komb i madh, jemi një komb krahasuar me të mëdhenjtë , jemi një komb i vogël, por jemi një komb i përjetshëm dhe përjetësia jonë qëndron pikërisht tek besimi tek Zoti dhe tek toleranca fetare, të cilën ne duhet ta kultivojmë, ta zhvillojmë dhe unë shpreh besimin më të madh për udhëheqësin shpirtëror të komuniteteve fetare , të cilat këto 20 vite ia dolën ta rindërtojnë atë në mënyrë të shkëlqyer dhe ky është një nga mesazhet më të mëdha, njerëzore dhe hyjnorë që kombi shqiptarë i lirë sot i përcjell mbarë njerëzimit.

Në Shqipëri, myslimanët, katolikët, ortodoksit dhe besimtarët e tjerë janë të gjithë tolerantë. Shqipëria ka njohur vetëm një fondamentalizëm dhe ky fondamentalizëm, ka qenë fondamentalizmi ateist i regjimit totalitarë. Sot që të gjithë respektojnë lirinë e besimit të njëri-tjetrit , por dhe qëndrimet , ndërsa ky variant i fondamentalizmit u provua si më i egri që ka ekzistuar ndonjëherë, sepse ky me gjak dhe hekur donte me çdo kusht që rrugën e zotit t’jua merrte shqiptarëve dhe t’jua zëvendësonte me rrugën e vetmisë, apo rrugën e Enverit.

Sot ne jemi të lirë. Po të jetë për një rrugë të gjithë ne kemi vetëm rrugën e Zotit, atij i falemi, atij do ti falemi, kurse Zoti vetë këtu në tokë për secilin prej nesh kalon në rrugën që duan, rrugën e gjithsecilit, rrugën që nuk mund ta marrë askush.

Ndaj dhe njëherë ju përshëndes vëllazërisht dhe ju shpreh kënaqësinë e madhe, që këtë vit ne kremtojnë ditëlindjen e Profetit të dritës, Profetit të lirisë, Profetit të barazisë, më mirë se çdo vit tjetër . Le të urojmë që viti që vjen të na gjejë ne shumë më mirë se ky vit.

Gëzuar festën për të gjithë .

a.y/NOA

KOMENTE