English

Dako: Xhaferraj qeveritar i dështuar dhe i paditur

Durrës, 17 prill 2011, NOA – Në takimin elektoral me banorët e lagjes 15 në Durrës, kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se “kandidatura e tij dhe koalicioni i drejtuar nga PS-ja, janë e vetmja rrugë për të ndaluar masakrën mjedisore që ka përgatitur qeveria dhe kandidati i saj për Durrësin Ferdinand Xhaferraj. Kryebashkiaku Dako theksoi se “Aleanca për të ardhmen” është e vetmja rrugë për më shumë shkolla, kopshte, ndriçim, kanalizime, ndërtime rrugësh, sheshesh e parqesh, dhe për shtimin e hapësirave të gjelbra për fëmijët e të moshuarit, një mjedis më të pastër që do të zhvillonte turizmin.

“Durrësi nuk ndalet më, puna jonë nuk ndalet më”, u tha kryebashkiaku i Durrësit banorëve të lagjes 15.

Në takimin ku merrnin pjesë qindra banorë të zonës, i shoqëruar edhe nga deputeti socialist Blendi Klosi, kryetari i Bashkisë së Durrësit premtoi që gjatë mandatit të ardhshëm të tij në këtë bashki investimet për Durrësin do të dyfishohen dhe trefishohen.

Kryebashkiaku analizoi edhe qëndrimet dhe premtimet e kandidatit të PD-së, Ferdinand Xhaferraj, duke bërë me dije se kandidati i “Aleancës për qytetarin” është i pasinqertë ndaj Durrësit dhe durrsakëve, duke bërë premtime që ‘lënë pa gojë’ edhe vetë anëtarët e PD-së kur thotë se do të ulë taksat.

Në këtë kontekst Dako i kujtoi kundërshtarit të tij në garën elektorale të 8 se “Xhaferraj s’mund të përgjigjet, sepse ulja e taksave nuk është politikë e PD-së, por vetëm një mashtrim i paskrupullt elektoral”, nënvizoi Dako.

Kryebashkiaku i Durrësit theksoi se Xhaferraj është dëshmia më e qartë e një politikani pa bosht, pa integritet politik dhe mbi të gjitha edhe i paditur.

“Vizionet e tij nuk kanë të bëjnë me qytetarët, por me pushtetin personal. Qeveria e z. Xhaferraj ka përgatitur një masakër për mjedisin në Durrës me vendimin për ndërtimin e një TEC-i në Porto- Romano. Si qytetarë ndjehem i revoltuar për këtë rrezik potencial për Durrësin dhe turizmin e tij”, ripërsëriti kryebashkiaku i Durrësit.

Ai i kërkoi durrsakëve t’i thonë jo imazhit të Saliut në Durrës që personifikohet me kandidatin Ferdinand Xhaferraj.

mit/NOA

KOMENTE