English

Osmani: Padrejtësi ndaj Kumanovës dhe Likovës

Shkup, 17 prill 2011, NOA- Kryetari i RDK-së, Rufi Osmani deklaroi se ndaj Kumanovës dhe Likovës janë bërë padrejtësi të mëdha, veçanërisht edhe pas luftës së vitit 2001.

“Ndaj komunës së Kumanovës dhe Likovës janë bërë padrejtësi shumë të mëdha dhe dëme të pakrahasueshme, veçanërisht pas vitit 2001. Ishte pikërisht ky rajon, sidomos i Likovës që pësoi më shumë dëme dhe nga thundra e forcave militare dhe paramilitare maqedonase. Por, sot ky dëm vazhdon dhe sot askush nuk jep llogari për këtë që u krijua. Liderët e partisë që është në pushtet BDI kurrë nuk dhanë llogari për dëmet që po ndodhin, por prej këtu themi se këto praktika duhet të përfundojnë njëherë e përgjithmonë”, theksoi Osmani, duke apeluar që votuesi shqiptar kur të del të votojë të mendoj mirë dhe të krahasoj apo vlerësoj vlerat, moralin, ndershmërinë dhe dinjitetin, sepse sipas tij, RDK ofron vlera, dinjitet, dijeni dhe rezultate.

Ai theksoi se liderët e deritanishëm politik shqiptar nuk kanë mbajtur përgjegjësi dhe llogari para shqiptarëve gjatë këtyre 20 viteve të demokracisë dhe 10 vite pas përfundimit të luftës së vitit 2001. Osmani përmendi edhe 250 milion euro që janë ndarë pas konfliktit të vitit 2001 dhe për të cilat sot askush nuk jep llogari se ku shkuan ato para që ishin dedikuar për zonat e përfshira nga konflikti, për pajtim paslufte dhe rivitailizim, duke përfshirë edhe ringritjen e zonave shqiptare dhe zgjidhjen e statusit të UÇK-së.

“Sot janë shtuar zërat se nuk ka nevojë ndoshta për parti të reja shqiptare. Por shtrohet nevoja se si funksionojnë dhe kush janë partitë aktuale që i kemi ne. Ato janë parti të lidhura ngushtë me klane të caktuara, grupacione të krimit, nepotizëm dhe interesa nga më të dëmshmet për shqiptarët, që kanë për qëllim vetëm plotësimin e aspiratave të atyre klaneve që kanë. Ne në asnjë rast nuk do të vendosim interesat tona personale mbi ato kombëtare”, theksoi Osmani.

Kreu i RDK-së ka nënvizuar qëndrimin e tij për koalicionime paszgjedhore, pasi që sipas tij, koalicionet parazgjedhore qysh në start u mohuan dhe u devijuan nga ana e partive kryesore shqiptare.

“Sot ata janë për unitet me të tjerët, sepse e kanë të qartë sepse po i rrezikohen mandatet. Ne do ti ngelim besnik parimit tonë për koalicionime paszgjedhore, pavarësisht se një koalicioni të tanishëm parazgjedhor i janë bashkuar disa udhëheqës të partive të vogla që kanë për synim të fitojnë një mandat deputeti. Unë këtë problem kurrë se kam pas sikur këta, sepse gjithmonë kam qenë fitues në garat zgjedhore”, theksoi kreu i RDK-së, Rufi Osmani.

Kreu i kësaj partie shpalosi programin partiak të saj në sferën e avancimin dhe barabarësisë së shqiptarëve në aspektin kushtetues, ndërprerjen e diskriminimit buxhetor dhe arritjen e kërkesave për ndarje proporcionale të buxhetit dhe investimeve kapitale për pjesën që u takon shqiptarëve. Ai tha se RDK do të ketë mekanizëm për të ndërprerë këtë diskriminim, duke përfshirë edhe çështjen e decentralizimit.

Në këtë takim kanë folur edhe dy koordinatorët e RDK-së, Selver Jashari dhe Zenun Ismaili, të cilët kanë ftuar në fjalimin e tyre gjithë banorët e kësaj zone që të mbështesin nismën dhe projektin e tyre për rilindje, që do të thotë siç thanë ata për një rilindje të re të këtyre zonave që më së shumti pësuan në historinë e shqiptarëve në këto troje. (INA)

(INA)/NOA

KOMENTE