English

Nisin hetimet për incidentin e Sukthit, PS akuza policisë për gëzhojat

Durrës, 18 prill 2011, NOA Update – Kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve që shkaktuan incidentin më të fundit elektoral të shënuar pasditen e sotme në komunën Sukth të Durrësit, ku një militant i Partisë Socialiste u godit me sende të forta nga disa të Partisë Demokratike, vetëm pse vendosi postera e simbole të PS-së. Burime nga policia thanë se kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

Edhe pse nuk jepen të dhëna për identitetin e autorëve mësohet se një person është ndaluar e po pyetet pranë policisë së rrethit.

Përplasja mes militantëve të forcave kryesore politike u shkaktua prej vendosjes së flamujve elektoralë, ku militantët e PD-së ndaluan ata të PS-së të vendosnin posterat dhe flamujt elektoralë.

Mësohet se militantët e PD-së edhe kanë kërcënuar me të shtëna kallashnikovi në ajër, por militanti socialist është goditur më pas me sende të forta.

Pranë vendngjarjes ka vajtur edhe deputeti socialist Namik Dokle, i cili akuzoi policinë se nuk ka mbledhur gëzhojat e plumbave, duke ua lënë këtë punë në mënyrë të papërgjegjshme, fëmijëve.

Incidenti me flamujt është një nga ata incidente të përsëritura gjatë kësaj fushate elektorale.

mit/NOA

KOMENTE