English

Shpërthim tritoli në një shtëpi, s’ka të lënduar

Tiranë, 18 prill, NOA - Gjatë orëve të vona të natës së sotme, një shpërthim i fortë ka tronditur një ndërtesë në rrugën “Kongresi i Lushnjës” të kryeqytetit.

Ngjarja bëhet me dije nga burime të policisë së Tiranës për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, ka qenë pikërisht banesa e 32-vjeçarit Erion Koka, në të cilën ishte vendosur një sasi lënde shpërthyese.

Menjëherë, në vendngjarje shkuan shërbimet policore dhe ekspertë anti-eksploziv, të cilët morën të gjitha masat duke koordinuar punën në bashkëpunim me prokurorinë

për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarje.

Kështu, në sajë të masave të marra, u realizuan kontrolle të imtësishme përreth zonës dhe ambienteve të brendshme të banesës, nga u konkludua se lënda shpërthyese është vendosur në pjesën e derës së apartamentit dhe si pasojë e këtij shpërthimi, nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Ndërkohë, strukturat e Policisë së Tiranës, po punojnë intensivisht në drejtim të identifikimit të personave të vendosjes së sasisë së lëndës plasëse dhe kapjen e arrestimin e tyre.

Njëherazi, materialet hetimore të përpiluara do t’i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës.

n.e/NOA

KOMENTE