English

Thaçi takon Store: Mbështetja e Norvegjisë tejet e dobishme për Kosovën

Prishtinë, 19 prill 2011, NOA - Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi theksoi sot se për Kosovën është tejet e dobishme mbështetja e fuqishme e Norvegjisë për integrimin e shtetit të ri në Aleancën euro-atlantike. Gjatë takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Jonas Gahr Store, i cili ka mbërritur në Kosovë për një vizitë zyrtare shefi i qeverisë së Kosovës vlerësoi lart angazhimin e qeverisë dhe popullit norvegjez në mbështetjen e Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme, ku ka kaluar vendi dhe populli i Kosovës.

Kryeministri Thaçi kërkoi thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Kosovës dhe Norvegjisë.

“Duke pasur parasysh që Norvegjia është ndër shtetet themeluese të aleancës veriatlantike, mbështetja politike dhe ofrimi i asistencës teknike për arritjen e standardeve që kërkohen një vendi për t’u bërë anëtar i Aleancës, do të ishte mjaft e dobishme për Republikën e Kosovës, u shpreh kryeministri i Kosovës.

Ai u ndal edhe tek bashkëpunimi rajonal, duke nënvizuar se “qeveria e Kosovës do të vazhdojë të reflektojë interesimin për zhvillimin dhe intensifikimin e këtij bashkëpunimi, në interes të paqes, të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit të vendeve të rajonit në BE dhe në NATO”.

Kryeministri i Hashim Thaçi në emër të institucioneve të Kosovës ripërsëriti ftesën për investitorët norvegjezë që të investojnë në Kosovë.

Thaçi garantoi plotësisht për mbështetjen e vazhdueshme institucionale për bizneset norvegjeze.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm norvegjez Jonas Gahr Store shprehu gatishmërinë e vazhdueshme të Qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë për të fuqizuar mbështetjen për Republikën e Kosovës në të gjitha aspektet e zhvillimit dhe integrimit të saj.

Në takim u diskutua edhe për domosdoshmërinë që në një periudhë sa më të afërt të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura që të nënshkruhen edhe marrëveshje të tjera ndërshtetërore, në fushën e promovimit dhe mbrojtjes reciproke të investimeve, në fushën e transportit ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe mallrave si dhe sa i përket anulimit të taksave të dyfishta.

mit/NOA

KOMENTE