English

Lufta e 8 Majit, Berisha dhe Rama të pakursyer ndaj njëri-tjetrit

Tiranë, 21 Prill 2011 NOA/ Ervin Tirana - Edhe këtë të enjte, fushata e dy liderëve të kampeve kryesore politike në vend, vijoi plot mllefe dhe akuza ndaj njëri-tjetrit. Megjithatë, palët ditën të japin dhe mesazhe elektorale për qytetarët e thjeshtë duke prezantuar kush më shumë e kush më pak, projekte që ata thonë se do të kthejnë në realitet nëse dalin fitues më 8 maj.

Berisha: Alternativa e PD, përballë asaj të PS

Ndryshe nga Rama, notat e Berishës në fjalimin elektoral janë bollshëm optimiste, të gëzueshme, të hareshme, e pse jo, më pak stresante.

Berisha ishte të enjten pasdite në bashkinë e Sukthit, ku mori pjesë në tubimin e organizuar me banorët e kësaj zone. Atje, ai tha se “suksesin e zgjedhjeve të 8 majit do ta shndërrojmë në sukses personal të secilit prej qytetarëve të këtij vendi”.

Berisha bëri dhe një thirrje që “të shndërrojmë këtë fushatë në fushatën e vlerave tona qytetare, fushatën e tolerancës, fushatën e dialogut, fushatën e mirëkuptimit dhe të shmangim çdo tensionim”.

Më poshtë ndiqni pasazhet më pikante:

Bilanc 4 vitesh dhe ndërthurje me 4 të ardhshmet

Katër vitet që shkuan në këtë bashki dhe ne fshatrat e kësaj bashkie ne kemi asfaltuar, ndërtuar dhe rindërtuar 25 km rrugë. Ju garantoj se në 4 vitet që vijnë nuk do të ketë asnjë km rrugë të paasfaltuar në këtë bashki.

Në bashkinë tuaj ne kemi ndërtuar një shkollë 9 vjeçare. Do të ndërtojmë dhe do të rindërtojmë çdo shkollë, në mënyrë që bashkia të ketë shkollat më moderne që meriton.

Kemi ndërtuar ujësjellës, por ju garantoj se gjatë 4 viteve që vijnë do të ndërtojmë ujësjellës në çdo fshat për ujë 24 orë për banorët e bashkisë suaj. Do të finalizojmë sistemin e kanalizimeve, do të legalizojmë fshatin Hidrovor dhe do të zhvillojmë zonat më të fuqishme turistike të rajonit. Sukthi turistik është motoja e 4 viteve që vijnë

Banorë të Sukthit,

Qeveria ka subvencionuar në rrethin e Durrësit 650 ha sera, ulishte dhe drurë të tjerë frutorë. Në 4 vitet që vijnë në këtë bashki, qeveria do të subvencionojë 5 mijë hektarë të tjera, ullishte, vreshta, drurë të tjerë frutorë, sera.

“Alternativa tjetër, ajo e Ramës...”

Krahas kësaj alternative është alternative tjetër e rrugës së vetme, e cila është rruga e sharjeve, rruga e shpifjeve, rruga e fyerjeve, rruga e mashtrimit. Do ti them këtu shokut Edi Rama se fyerjet, sharjet janë dëshmi e varfërisë ekstreme e mungesës së projekteve, e mungesës së arritjeve. Kur nuk ke asgjë që tu tregosh qytetarëve që ke qeverisur 4 vitet e fundit, nuk të mbetet gjë tjetër vetëm të adresohesh tek kazanët e fjalorit dhe të përdorësh fjalët që përdor.

“Ne do të merremi me ju...”

Ne do të merremi me projektet tuaja, me shkollat tuaja, me kopshtet tuaja, me ujësjellësit tuaj, me turizmin tuaj, me rrugët tuaja, ne do të bëjmë gjithçka që këto 4 vite, Sukthi të jetë një vend i zhvilluar, Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar.

Për ne të parët jeni ju, janë fëmijët tuaj, janë familjet tuaja, janë komunitet tuaja, janë qytetet dhe fshatrat tuaja, është Sukthi, është Durrësi është Shqipëria.

Rama: Tirana, lokomotiva e një zhvillimi të qëndrueshëm

Kryetari i PS, Edi Rama, prezantoi sot pasdite në njësinë bashkiake nr. 2 në Tiranë kandidatin e Aleancës për të Ardhmen Artemon Cukalla.

Rama premtoi për qytetarët se do të vazhdojnë projektet për një Tiranë Europiane, ku shtohen rrugët, shkollat, parqet e gjelbërimi, linjat e reja të transportit.

Ai tha se në 8 maj qytetarët do vendosin për të ndryshuar politikën kombëtare mbi territorin, do të jenë ata vendimmarrësit që s’do të lejojnë që qyteti të kërpudhëzohet ashtu siç ndodh në Kashar, Kamzë e Paskuqan ku qeveris Saliu. Më poshtë ndiqni pasazhet më pikante:

“Sa shumë kemi bërë ndryshime”

“Sot ne mblidhemi në këtë hapësirë që pak kohë më parë ishte vështirë të kalonin qytetarët. Ndërsa sot është një hapësirë tërësisht e transformuar si pjesë e qytetit Europian që ne po ndërtojmë dita-ditës. Duke parë të gjithë ju të mbledhur këtu në hijeshinë e kësaj hapësire publike më vjen natyrshëm të them se në të gjithë këto vite dhe në këto rrugë plot ëndrra shpresa dhe sigurisht vështirësi dhe sakrifica, ne u kemi dhënë qytetarëve të Tiranës më shumë se gjysmë milioni metër katrorë trotuare tërësisht të rindërtuara. Madje sot trotuaret e Tiranës po nisin të kthehen në standardet më të larta të BE-së, me rampat për karrocat e fëmijëve, invalidët, biçikletat e deri tek pllakat speciale për të verbrit. Shprehje e horizontit pa kufi të ëndrrës dhe njëkohësisht të ambicies sonë për qytetin që ne duam dhe në qytetin në të cilin ne jetojmë. Vetëm 150 mijë metra katrorë rrugë ishin të kalueshme normalisht në kohën kur Saliu dhunonte dhe sundonte Tiranën. Sot vetëm rrjeti i qarkullimit të Tiranës është normalizuar në 1.65 milion metër katrorë asfalt dhe me një kapacitet prej 480 mijë mjetesh në orë”.

“Dikur e gjetëm Tiranën mizerie”

Vetëm 4 semaforë ndizeshin në rrugët e Tiranës që dhunonte dhe sundonte Saliu, duke e kthyer qytetin nga qytet në një tokë të askujt, mbushur me ndërtime pa leje, kioska dhe plehra nga të katër anët. Vetëm 4 semaforë, sot janë në punë 53 të tillë dhe janë rimodeluar 4 kryqëzime të mëdha e ndërkohë është ndërhyrë në 347 pika kyçe për qarkullimin. Gjë që ka bërë të mundur që ne të pararendim të gjithë rritjen e madhe të makinave në qytet”.

“E kundërta do të ndodhë në 8 maj”

Qytetarët e Tiranës, do të votojnë përveç të tjerash edhe për të pasur një linjë moderne transporti publik me autobusë të standardeve të BE-së, 100% me ajër të kondicionuar, 100% me kamera sigurie në bord dhe 100% me platforma për personat me aftësi të kufizuar.

Kujdesi për bebet, për fëmijët në kopsht, për nxënësit në shkollë. Një bebe që lind në qytetin tonë, të nesërmen që dashuria e prindërve e sjell në jetë, ka një çek të Bashkisë së Tiranës. Çekun e bebes, që është edhe shprehja më kuptimplotë e marrëdhënies tonë brenda një komuniteti që ne e shohim si një tërësi individësh, familjesh, krahinash, besimesh, si një tërësi ku gjëja më e çmuar është larmia dhe diversiteti.

Për më të moshuarit ne kemi hapur qendra të posaçme. Do të vazhdojmë të hapim qendra të tjera. Ashtu sikundër i kemi lehtësuar pensionistët në detyrimet ndaj bashkisë. Një pensionit paguan thuajse 10 herë më pakë sesa gjithë të tjerët. Ndërkohë që veteranët dhe invalidët nuk paguajnë asnjë taksë dhe asnjë tarifë për Bashkinë e Tiranës. ”Zgjedhje thelbësisht politike”

Është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët ta shohin 8 majin si ditën kur duhet të marrin pjesë në një vendimmarrje me rëndësi kombëtare. Zgjedhjet e 8 majit janë zgjedhje thelbësisht politike, jo thjesht për faktin se prej dy vitesh opozita është përball qeverisë të kthyer në regjim për shkak se u vodhën vota që të vidhet Shqipëria dhe u vranë qytetarë të pafajshëm që qeveria e ashtuquajtur, se në fakt është një regjim kusarie, të vazhdojë të vjedhë. Por këto zgjedhje janë thelbësisht politike dhe për një arsye tjetër, një arsye thelbësore që ka të bëjë fare thjesht me faktin se qytetarët në 8 maj do të zgjedhin kryetarë bashkish dhe komunash. Do të zgjedhin kryetarët e njësive vendore, që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me territorin dhe menaxhimin e tij. Është dita për të ndryshuar rrënjësisht politikën kombëtare mbi territorin. Është dita për të ndaluar dorën shkatërruese të një politike qeveritare mbi territorin, që nuk është gjë tjetër vetëm politika e shfrytëzimit barbar të pasurive natyrore të këtij vendi dhe e shkatërrimit të përditshëm të potencialeve të jashtëzakonshme të këtij vendi. Shiheni sesi zhvillohet territori jashtë kufijve të Tiranës”.

“Kërpudhizimi i Saliut”

Shiheni se çfarë ndodh në kodrat e Selitës, mu pranë kopshtit zoologjik, ku ishin ullishtat e sot ngrihen pallate jashtë çdo lloj standardi europian të projektimit dhe të përfytyrimit të së ardhmes. Shiheni çfarë ndodh nga ana tjetër, në Kashar, në Paskuqan, në Kamzë. Janë realitete drithëruese, që janë në fakt modeli i menaxhimit të territorit të Saliut. Modeli primitiv, modeli i zhvillimit të aty për atyshëm, modeli i barbarizmit të natyrës dhe i brutalizmit të jetës urbane. Modeli i kërpudhëzimit, shiheni se çfarë ndodh nga Tirana deri në Durrës.

“Një histori e re është e mundshme”

Një rrugë e re është e mundshme. Një zhvillim i ri i madh, gjithëpërfshirës është i mundshëm dhe e vetmja rrugë për këtë jemi ne. Ne jemi e vetmja rrugë sepse kemi një vizion europian për zhvillimin e këtij vendi. Sepse ne kemi strategji zhvillimi të këtij vendi. Sepse ne e dimë mirë se çfarë ëndrrash dhe shpresash kanë njerëzit e këtij vendi dhe në ndërkohë se çfarë mundësish kanë në këtë vend për ti bërë realitet këto ëndrra dhe shpresa”.

e.t/NOA

KOMENTE